Rasti Dehari, temë diskutimi në Kuvend – replika e kundër replika mes Albulena Haxhiut e deputetit të PDK-së – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Rasti Dehari, temë diskutimi në Kuvend – replika e kundër replika mes Albulena Haxhiut e deputetit të PDK-së

    Insajderi
    29 September 2022 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas suspendimit të tre zyrtarëve shtetërorë sot sërish në Kuvendin e Kosovës është diskutuar për vdekjen e Astrit Deharit. Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha që i është drejtuar me pyetje parlamentare për këtë rast ministres së Drejtësisë, Albulena Hahxiu, shkruan Insajderi.

    Pas kishte pranuar pyetjen, minsitria Haxhiu e nisi me një me një kërkesë për sqarim për mënyrë se si ishte formuluar pyetja e Berishës për rastin Dehari.

    “Së pari po e lexoje paragrafin e parë të çështjes se keni ngritur, ju keni shkruar kështu: Nisur nga fakti që opinioni publik në Kosovë ende është i traumatizuar nga rasti i sulmeve në objektet e institucioneve të Kosovës, e cila rezultoi me një tragjedi familjare. Pra nuk e kuptojë se çka dëshironi të thoni me këtë, ndoshta është mirë qe tek pyetjet shtesë ta sqaroni se pse e ndërlidheni këtë me atë dhe si ka mundësi që ta bëni këtë ndërlidhje”, tha Haxhiu përcjell Insajderi.

    Pas kësaj, Haxhiu njoftoi se rastin e vdekjes së Astrit Deharit tani është duke e trajtuar Prokuroria Speciale.

    “Ndërsa sa i përket epilogut për zbardhjen e rastit Deharii, më lejoni të ju njoftojë që ky rast aktualisht është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Dhe së fundmi, pas disa informacioneve që kemi pranuar si Ministri e Drejtësisë si ministre kam urdhëruar një inspektim në raport me atë se cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave përgjegjës atë ditë dhe a janë kryer përgjegjësit e personave përgjegjës në përputhje me legjislacionin dhe me kompetencat”, deklaroi ministrja.

    Haxhiu potencoi se për rastet e suspendimeve të dy zyrtarëve të SHKK-së, mbajti edhe një konferecë për media

    “Aty pas raporti të inspektimit kam treguar për gjetjet bazuar në raportin e inspektimit dhe që kanë të bëjnë me shkelje të rëndë të detyrave nga përgjegjës që kanë qenë të angazhuar atë ditë“, potencoi ajo.

    Gjetjet kryesore të shkeljes sipas ministres ndërlidhen me kamerat e sigurisë brenda qendrës së paraburgimit, aty ku ndodhej Astrit Dehari si i burgosur.

    Theksoi se dikush duhet të jap përgjegjësi, e përmendi edhe si oposion ish-ministren e drejtësisë, Dhurata Hoxha.

    “Pra gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para policisë, kjo është e paprecedente dhe është shkelje penale. Po ashtu kamerat kanë mundur nga zyrtarët përgjegjës të shihen pasi që ato të merren nga policia por jo të merren sipas informacioneve që unë kam marrë dhe kjo duhet të dëshmohet në prokurori, mirëpo nga zyrtarë të ministres më është thënë që këto janë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës – ish ministres së Drejtësisë. Personat që janë suspenduar tash nga Komisioni Disiplinor duhet ta thënë këtë  para Prokurorisë Speciale pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë të paligjshme dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për këtë ka urdhëruar ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha. Nëse po, atëherë barra e përgjegjësisë bie tek Dhurata Hoxha”, ka thënë Haxhiu.

    Tutje, ministrja përmendi edhe dy raportet e bëra për rastin e Astrit nga kryeinseptori i  Inspektoratit në Ministrinë e Drejtësisë, Ylber Topalli, i cili tanimë është suspenduar.

    “Çështja tjetër është që janë dy raporte të inspektimit që janë bërë në atë kohë, njëri raport thuhet që po bëhet inspektim për vetëvrasjen e Astrit Deharit dhe tjetrin thuhet për vdekjen e Astrit Deharit. Mirëpo për raportin e parë kryeinspektori që është suspenduar dje nuk pranon që e ka shkruar atë raport, nëse nuk e pranon atëherë duhet të verifikohet nëse është bërë nga ai sepse nënshkrimi i tij figuron aty. Nëse nuk është bërë nga ai, kush ka falsifikuar nënshkrimin dhe pse ka ndodhur një gjë e tillë”, ka thënë ajo në Kuvend para deputetëve përcjell Insajderi.

    Ajo si shkelje përmendi edhe rastin e dëshmitarit kryesor, e ndryshimet e deklaratave.

    “Po ashtu në këtë raport thuhet se dëshmitari kryesor, i ndjeri Naser Makolli  që po ashtu vdiq në rrethana siç e dini, edhe personat zyrtarë që kanë qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren janë transferuar në vendin e njëjtë ku ka qenë dëshmitari kryesor edhe kjo përbën shkelje. Ka pasur edhe disa shkelje që kanë të bëjnë me ndryshim të deklaratave, kontradiktave por tani i përket Prokurorisë Speciale”, ka sqaruar ministrja.

    “Nuk ka rast më të rëndë në Kosovën e pasluftës se sa rasti Dehari, ku një aktivist politik burgoset pa asnjë përgjegjësi dhe nuk del i gjallë nga burgu dhe ish-ministrja e partisë tënde as nuk e ka marrë mudnin të paktën dorëheqje të jepte edhe përkundër kërkesave të shumta qytetare”, u shpreh ministrja.   

    Pas këtyre sqarimeve replikoi sërish Berisha i PDK-së, duke thënë se pa u sqaruar rrethanat e vdekjes së dy vëllezërve Dehari nuk mund të merren me ish-ministren Hoxha.

    Ndërkohë përmendin edhe Dardan Molliqajn të cilën e akuzoi për mbajtje të sekreteve me ish-kolegët e partisë.

    Në fund të fjalimit të tij ai kërkoi edhe falje nga babai i Astrit, Avni Dehari i cili ndodhej i pranishëm në sallë.  

    “Defenitivisht qëndrojë pranë asaj se pa u zbardhë dy rastet e para këtë të tretin sdo të mund të qitni dritë asnjëherë. E dyta kam dashtë me ju bashkëngjit PSD në disa aktivitet por ai zotëria Molliqaj duhet ai me rrëfy edhe pse po më duket se si havera janë nda politikisht prapë po ia mbajnë sekretet njëri-tjetrit. Dhe e treta çka kam prit sot zonja minstre është të jepni opinione të sakta jo vetëm për opinionin por edhe për hir të këtij zotëriut që i kërkojë falje shpirtërisht që po duhet me bë këtë temë prezencë të tij se ky ka dhimbje…kërkojë falje baca Avni, thjeshtë kërkojë përgjigje më të saktë “, tha deputeti i PDK-së.  

    Tre zyrtarë të shtetit janë suspenduar nga puna për rastin që lidhet me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari që ndodhi në vitin 2016. Është suspenduar kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Drejtësisë, Ylber Topalli si dhe udhëheqësi i Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë Burim Buleshkaj dhe zyrtari Korrektues, Destan Zogaj.

    Por si erdhi deri tek vdekja e Deharit?

    Astrit Dehari së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan si të dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

    Gjithçka ndodhi në mesnatën e 5 gushtit të vitit 2016.

    Sipas raportimeve dy prej aktivistëve të Vetëvendosjes me një motor ishin ndalur pranë Kuvendit dhe njëri nga ta ka nxjerrur një raketahedhëse dore duke e goditur pastaj objektin e Kuvendit.

    Motori që u përdorë për kryerjen e kësaj vepre u gjetë vetëm pastaj i djegur në afërsi të pishinës së Gërmisë.

    Nga organet kompetente të drejtësisë me të parë skenën e krimit ngjarja u cilësua si akt terrorist.

    Nën petkun e Prokurorisë Speciale, drejtoria antiteror e policisë nisi hetimin për ta zbardhur rastin. Me të filluar hetimet, të dyshuarit e parë ishin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në atë kohë kundërshtuan ashpër demarkacionin me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo siç i thonë nga VV “Zajdenicën”.

    Afro një muaj pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të ndihmuar edhe nga njësitet elite zhvilluan një aksion për kapjen e të dyshuarve. Fillimisht u arrestuan 6 aktivistë të Vetëvendosjes.

    Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Hali e Astrit Dehari përfundojnë të arrestuar.

    Me vendim të gjykatës të pesë prej tyre përfunduan në paraburgim ndërkohë u lirua Petrit Ademi meqenëse nuk kishte prova se është i përfshirë në rast.

    Astrit Dehari u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prizren. Atje qëndroi deri me 5 nëntor të vitit 2016. Në pasdite kur edhe ishte koha e shëtitjes, Astriti kishte vendosur të mos dilte nga çelia.

    E këtu edhe ishin momentet e fundit të jetës së tij.

    Ndërkohë që thuhej se gardiani i kësaj qendre ishte kujdesur për sigurinë e Deharit, shokët e çelisë me t’u kthyer brenda, më saktësisht në orën 15:53 e gjetën atë me një shishe mjalti në gojë. U lajmëruan edhe mjekët, në gjendje të rëndë atë e nisën për në emergjencë, pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes kishte ndërruar jetë.

    E që nga ajo kohë gjithçka ka mbetur një mister. Derisa institucionet përkatëse kontaktuan se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje me këtë spo pajtohet kurrsesi familja e partia e tij. Ata po thonë se u vra.

    Familja kërkon që rasti të hetohet nga ekspertë të jashtëm, jo vendorë

    Familja e Astrit, nëna Xhemilja e babai Avniu vazhdojnë të thonë se djali i tyre është vrarë.

    Ata qysh nga fillimi i hetimit të rastit nuk i besuar gjetjeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

    Kërkuan që hetimi të kryhet nga ekspertë të jashtëm.

    Ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Llozanës në Zvicër të vitit 2019, sipas avokatit të familjes, Tomë Gashit, ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes së, Astrit Dehari.

    “Ekspertiza e Institutit te Mjekësisë Ligjore te Llozanës ne Zvicër e shtatorit te vitit 2019 ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes se Astrit Deharit”.

    “ …Hipoteza e vetëvrasjes së z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjeket ligjor nuk duket e vërtetë. Për këtë arsye rrethanat e vdekjes se z.Dehari Astrit janë, sipas mendimit tone, të përfshira me një dyshim te intervenimit te personit te trete ne procesin fatal…”, thuhet në ekspertizën e vitit 2019, sipas Gashit.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark