×
Analiza

Rasti “Ekstazia e Besnik Mujecit”, Shqipëria nuk iu beson autoriteteve kosovare

Insajderi
18 August 2023 - 16:02
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Insajderi merr vesh që, fill pas arrestimit të dy shtetasve kosovarë në operacionin ku u kapën mbi 10 mijë pilula ekstazi, njëri nga ta ish-asamblisti i Vetëvendosjes, autoritetet kosovare kishin kontaktuar me organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Por, sipas burimeve të Insajderit, këto të fundit deri tash nuk kanë dërguar ndonjë informacion kthyes- shkak mos-besimi ndaj homologëve të tyre në Kosovë

Gazeta Insajderi

E marta e kësaj jave e kishte gjetur policinë shqiptare në një aksion të madh anti-droge. U arrestuan së paku pesë persona, që dyshohen për një rrjet shpërndarje të drogës ekstazi nëpër plazhet e jugut shqiptar.

Për ta Gjykata e Tiranës ka marrë vendim që  në burg pa afat  të qëndrojnë 5 të arrestuarit, ku si provë po ruhen edhe 11300 doza ekstazi.

Dy nga të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, Mithat Ramadani, reper, dhe Besnik Mujeci ish-asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kryeqytet. Bashkë me ta u kapën edhe tre shtetasit shqiptarë Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.

Siç merr vesh Gazeta Insajderi, fill pas këtij aksioni, Policia e Kosovës me sugjerim të Prokurorisë kishte tentuar që të vendoste kontakt me autoritetet e zbatimit të ligjit në shtetin shqiptar. Të bashkëpunonte me ta dhe eventualisht edhe të ndihmonte në hetim, pasi që dy nga të arrestuarit ishin shtetas të Kosovës.

Por, siç kanë treguar burime të Insajderit, deri tash kjo nuk është arritur. Kjo pasi që, sipas burimeve, duke pasur parasysh që njëri nga të arrestuarit është zyrtarë i partisë në Pushtet, ani pse i shkarkuar pas arrestimit, ka bërë që autoritetet e Shqipërisë të mos kenë besim që ta ndajnë dosjen me homologët e tyre kosovarë.

Gazeta Insajderi që nga e mërkura ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës nëse po bashkëpunon me atë shqiptare në këtë hetim, por nga ky institucion nuk ka marrë deri tash asnjë përgjigje.

Insajderi po ashtu ka kontaktuar edhe me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë për të njëjtën arsye: nëse hetimin në këtë rast po e koordinojnë me palën kosovare, por as këto inisticione nuk janë përgjigjur deri tash.

Besnik Mujeci, 40- vjeçar, ishte asamblist i Lëvizjes vetëvendosje në Prishtinë deri në ditën e arrestimit kur edhe u shkarkua nga partia. Po ashtu, VV-ja e kishte përzgjedhur Besnik Mujecin para pak muajsh aksionar në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”.

Mujeci ka qenë edhe aktivist i njohur i partisë dhe pjesëmarrës në disa aksione partiake. Në vitin 2020, Mujeci ishte ndaluar edhe nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë, ku ishte gjobitur me 50 euro gjobë. Besnik Mujeci ishte zgjedhur tre herë radhazi asamblist i VV-së në komunën e Prishtinës. Ai ishte i afër edhe me tre ministra të qeverisë Kurti.

Ndryshe, një megaoperacion droge i zhvilluar në Tiranë të martën ka vënë në pranga pesë persona, të përfshirë në shpërndarjen e tabletave ekstazi MDMA.

Edhe n janar të këtij viti gjatë operacionit të koduar “PUNISHER” u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, ku u arrestuan tre persona, u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në vijim të hetimeve për furnitorët e grupit të arrestuar në janar, ra në gjurmët e një rrjeti tjetër që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike nga Kosova në Shqipëri.

Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, policia zbuloi një grup prej pesë personash dhe gjatë operacionit të koduar “PUNISHER 2” u vunë në pranga Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Ata ishin lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, ata i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

/Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark