Rasti i Agon Zejnullahut nuk figuron në raportin 24-orësh të Policisë – a u tentua të fshihet? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti i Agon Zejnullahut nuk figuron në raportin 24-orësh të Policisë – a u tentua të fshihet?

    Insajderi
    08 July 2025 - 15:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës, çdo mëngjes e dërgon në media raportin 24 orësh, të ndodhive në Kosovë. Në raport përfshihen të gjitha rastet që raportohen në Polici, në të gjitha komunat e Kosovës. Por, për çudi një vdekje e dyshimtë që ndodhi në orët e para të së hënës nuk u raportua, shkruan Insajderi.

    Raporti i policisë iu është dërguar mediave sot rreth orës 14:47, ndërsa zakonisht dërgohet në orët e paradites, mes orës 09:00 – 10:00.

    Në raport janë përfshirë raste të ndryshme të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, por nuk figuron rasti i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në Lipjan. Madje, nuk përmendet fare se ka ndodhur një rast i tillë.

    Agon Zejnullahu, 27-vjeçari në Lipjan, vdiq me me pranga në duar i rrethuar nga disa policë.

    Në lidhje me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë. Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

    Alban Zejnullahu, ka treguar se vëllai i tij Agon Zejnullahu, kishte shenja të mëdha në trup.

    Sipas tij kishte 20 shenja duke pretenduar se mund të kishte edhe gjymtyrë të thyera.

    “Ka pasur mbi 20 shenja në trup. Vetulla ka qenë e çarë, balli me shenja dhe ka pasur goditje në qafë. Ka shenja shumë të theksune në bri sa mendoj se i ka të thynë, këmbët i ka pasur me gunga. Nuk ka ndonjë pjesë të trupit që nuk ka pasë goditje”, tha ai në një prononcim për Insajderin.

    Alban Zejnullahu tha se zyrtarët policor që u arrestuan dje, ishin edhe në emergjencë kur familjarë kanë shkuar atje pasi kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.

    Ai tha se policët i njeh personalisht dhe nuk i shprehen ngushëllime

    “Policet e arrestun i kemi pa ne emergence kur kemi shku. Shumicën prej tyne I njoh personalisht ama atë nate mbajshin distancë, as per me m’shpreh ngushëllime nuk jane afru. Përveç njanit”, tha ai.

    Te pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë.

    Gazeta Insajderi ka raportuar se në Inspektoratin Policor të Kosovës që po e heton rastin me autorizim të Prokurorisë, tashmë ka arritur raporti fillestar i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

    Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

    Në raportin fillestar ende nuk është specifikuar nëse ndrydhja ka shkaktuar sulmin në zemër, apo asfiksion (pengim të rrugëve të frymëmarrjes), por një zgjerim i raportit pritet të bëhet ditëve në vazhdim.

    Ditëve në vazhdim, IML pret, siç merr vesh Insajderi, që të përfundoi edhe raportin në pjesën tjetër, sa i përket toksikologjisë, duke dalë me rezultate se çfarë lloje substancash mund të ketë pasur në trup viktima para se të ndërronte jetë.

    Pesë policë u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia” për rastin e arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, i cili dyshohej se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar arrestimin e policëve, por refuzoi të japë më shumë detaje meqë tha se mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.

    “E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, tha prokuroria në përgjigje.

    Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë.

    Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark