Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësve të të pandehurve Korab Gashi dhe Valdrin Ademi për vendimin e themelores për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve. Në një nga arsyetimet e Apelit bëhet e ditur se për përplasjen mes Sekiraqëve dhe Capave janë përfshirë edhe tre dëshmitarë të rinj.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh se bëhet fjalë për Besart Malokun, Nderim Halimin dhe Valon Jasharin për të cilët nuk dihet se për çfarë do të dëshmojnë përpara autoriteteve hetimore lidhur me përplasjen mes dy grupeve.
Në aktvendimin e Apelit të cilën e ka parë Insajderi, thuhet se me rastin e lënies në liri të Gashit dhe Ademit, këta dy të fundit rrezikojnë të ndikojnë në dëshmitarët e rinj që janë përfshirë në zgjerimin e hetimeve për zbardhjen e rastit “Aktashi”.
“Po ashtu ekziston rreziku se të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarët si Besart Maloku, Nderim Halimi dhe Valon Jashari, të cilët do të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve në Prokurorinë e Shtetit si dhe dëshmitar të tjerë të cilët do të identifikohen ne procedurë të hetimit”, thuhet në aktvendimin e shkallës së dytë të gjykatës.
Kësisoj, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të pabaza ankimimet e mbrojtjes së Gashit dhe Ademit, duke i lënë në paraburgim deri më 2 dhjetor të 2024-ës.
Shkumbin Sekiraqa, i biri i Salih Sekiraqës, ishte protagonist i konfliktit pasi plagosi Pajtim Gashin pranë objektit të punës.
Insajderi raportoi se në bazë të të dhënave në regjistrat e Policisë së Kosovës, 19-vjeçari ka të regjistruara shtatë incidente.
Gjashtë nga shtatë incidentet iu janë referuar prokurorëve, teksa njëra është hedhur poshtë.
Disa prej tyre janë të kryera edhe para se Shkumbin Sekiraqa të arrinte moshën madhore. /Insajderi.org/