×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti i dhunimit të 23-vjeçares nga Shqipëria në Pejë, lirohet në arrest shtëpiak njëri prej të akuzuarve

    Insajderi
    12 July 2024 - 13:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, të enjten është mbajtur seanca fillestare në çështjen penale kundër dy të akuzuarve, Ismet Gogaj dhe Shaban Berisha, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rastin e dhunimit të shtetases së Shqipërisë, M.V., në dhjetor të vitit të shkuar.

    Gogaj, i cili sipas aktakuzës që është ngritur gati dy javë më parë akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Dhunim’, është deklaruar i pafajshëm, duke mos pranuar fajësinë për veprën penale që rëndon mbi të. Njëjtë është deklaruar edhe Shaban Berisha, i akuzuari tjetër nën dyshimin si bashkëkryes i dhunimit të 23-vjeçares nga Shqipëria.

    Gjatë seancës gjyqësore, avokati i të akuzuarit Berisha, Fanol Krasniqi, ka kërkuar që klientit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit, pasi sipas tij, nuk ka prova se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Avokati Krasniqi në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, një ditë pas seancës, ka bërë me dije se ka pranuar aktvendimin e Gjykatës, përmes të cilit njoftohet se Berishës i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Ai ka ndarë detaje edhe për raportet e ekspertizës mjekoligjore, ku sipas tij, ka rezultuar se e dëmtuara nuk ka pasur marrëdhënie seksuale dhe as kontakt me ndonjë mashkull.

    “Na si mbrojtje kemi kërku ndërprerjen e paraburgimit fillimisht, duke marrë në konsideratë që asnjë provë nuk e ka pasur Prokuroria se Shaban Berisha është kryes i asaj vepre penale. Nga provat shkencore, siç është raporti mjekoligjor, raporti i ADN-së, rezulton se e dëmtuara nuk ka pasur marrëdhënie. Nga ADN-ja rezulton se nuk ka pasur kontakt me asnjë mashkull. Deklarata e saj dhënë në Polici, në ekspertizë është shpallë deklaratë e pavlefshme. Këto rrethana i kemi paraqitë në Gjykatë. Gjykata sipas gjitha gjasave ka marrë aktvendim dhe e ka aprovu kërkesën tonë, ia ka ndërpre masën e paraburgimit, ia ka zëvendësu me një masë më të lehtë. Ia ka zëvendësu me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 muajve, edhe gjykimi tani vazhdon. Na e shfrytëzojmë të drejtën me i paraqitë kundërshtimet lidhur me aktakuzë edhe ankesat nëse është vendimi i pafavorshëm për neve”, tha Krasniqi për gazetën online Reporteri.net, teksa shtoi që aktakuza është ngritur pa asnjë provë të vetme.

    Kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ka bërë edhe avokati i Gogajt, Naim Rudari.

    Radari i tha gazetës online Reporteri.net se ende nuk ka pranuar aktvendimin e Gjykatës lidhur me këtë kërkesë, teksa tha se janë në përgatitje e sipër për të kundërshtuar aktin akuzues.

    Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm edhe na kemi parashtru kërkesë për me ndërpre masën e paraburgimit me arsye të shumta edhe Gjykata nuk ka vendosë në seancë për masën e paraburgimit, por ka mbetë me vendosë me vendim të veçantë jashtë seancës. Deri më tani në zyrtarisht nuk kam pranu vendim të Gjykatës. Aktvendimi duhet të jetë i ngjashëm, nuk ka bazë për Ismetin të mos ketë ndërprerje, e për Shabanin po. Dje nuk është ndërpre masa e paraburgimit, e për sot nuk e di. Ne jemi në përgatitje e sipër se kemi 30 ditë kohë, për me e kundërshtu aktin akuzues”, tha Rudari të premten.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 korrik nga Prokuroria Themelore në Pejë, dy të akuzuarit Shaban Berisha e Ismet Gogaj, akuzohen se pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të gjendjes së rënduar mendore të të dëmtuarës, e kanë kryer veprimin me dëshirë dhe vetëdije të plotë.

    Kujtojmë se nga ajo që raportohej në media në kohën kur dyshohet të ketë ndodhur ngjarja e rëndë, rasti u zbulua pasi motra e të dëmtuarës kishte ardhur në Kosovë për ta kërkuar atë. E dëmtuara u gjet në qytetin e Pejës, në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe e njëjta më pas u dërgua për ekzaminimet e nevojshme mjekësore. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark