Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me gjuajtjen me armë që ndodhi të martën mbrëma në drejtim të një zyrtari policor në Pejë.
Sindikata ka thënë se është i papranushëm akti kriminal dhe se përbën sulm të drejtpërdrejt ndaj institucioneve.
“Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore”, thuhet në reagim.
“Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji. Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm”, vijon tutje tutje në reagim.
Raportimi ekskluziv i Insajderit për rastin e policit në Pejë:
E. Manaj është arrestuar dje për gjuajtjen me armë zjarri të policit Denis Shala pranë stacionit policor në Pejë. E. Manaj dhe Dardan Manaj (babai i E. Manaj), i njohur me nofkën “Manilla” ishin arrestuar në shtator. Ata ishin përfshirë në një rast për lëndim trupor dhe gjatë arrestimit kishin sulmuar edhe policët. Për këtë rast, ishin shpallur të pafajshëm.
I arrestuari që gjuajti me armë policin Shala, siç mëson Insajderi, besohet ta ketë bërë këtë nën pretendimin se babai i tij, Dardan Manaj, është rrahur përgjatë momentit të arrestimit para tre muajsh, për rastin të cilin tashmë janë shpallur të pafajshëm.
Si fillim, ai kishte tentuar që zyrtarin policor Denis Shala ta godiste me veturë, ku Shala kishte ikur. Më pas, ai kishte shkrepur dy herë me armë zjarri nga dritarja e veturës në drejtim të policit.
Gazeta Insajderi kishte raportuar se E. Manaj dhe Dardan Manaj, i njohur me nofkën “Manilla”, ishin shpallur të pafajshëm lidhur me rastin për sulm ndaj zyrtarëve policorë. “Manilla” ishte vënë nën masën e arrestit shtëpiak, ndërkaq E. Manaj ishte lënë i lirë. Krejt këtë për Gazetën Insajderi e kishte konfirmuar avokatja Aurora Mulhaxha.
“Si e autorizuar fillimisht kam pranuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ku pas propozimit tim si mbrojtëse për masën e arrestit shtëpiak është pajtuar edhe Prokuroria si masë e mjaftueshme për sigurimin e pranisë të të pandehurit“, kishte thënë Mulhaxha për Insajderin.
Policia njoftoi se pranë stacionit policor në Pejë janё gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja tё kalibrit 7.65mm.
Për ta kërkuar të dyshuarin, policia kanë kërkuar në tri lokacione. Rreth orёs 18:25, ёshtё arritur te arrestohet i dyshuari i këtij rasti, ёshtё sekuestruar arma e cila dyshohet qё ёshtё përdor nё rast, poashtu ёshtё sekuestruar edhe vetura e cila ёshtё përdorur nё rast.
Ndaj E. Manaj është caktuar masa e ndalimit 48-orësh. /Insajderi.org/