
Një i ri nga qyteti i Vitisë ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, pasi ishte goditur nga një veturë në parkun e qytetit. Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh, kur një 21-vjeçar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka goditur pesë persona që po qëndronin në park.
Prokurorina Themelore në Gjilan në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka konfirmuar se se i dyshuari E.SH me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta të dëmtuarit, duke ua rrezikuar rëndë edhe jetën.
“Referuar kërkesës tuaj të parashtruar me date 10 shtator 2025, lidhur me rastin i cili ka ndodhur me datë 8 shtator në Viti, ku një person me inicialet E.SH me dashje ka tentuar ti privoj nga jeta të dëmtuarit, duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve V.G, M.A, A.F, A.S dhe E.S, që ishin duke qëndruar në një tavolinë në afërsi të platosë në sheshin ‘’Bafti Haxhiu’’ para banesës kolektive në Viti.
“Lidhur me rastin, me të marrë informacionin nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe vepra është cilësuar si Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 i Kodit Penal të Kosovës dhe ndaj të njëjtit ka nxjerrë Aktvendim për ndalim, mirëpo me rekomandimin e mjekut, masën e ndalimit është duke u mbajte në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Regjional të Gjilanit nga data 08.09.2025 në ora 21.45”, thuhet aty.
Rasti fillimisht është kualifikuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.
“Pas pranimit të Kallëzimit penal, Prokurori i rastit ka paraqitë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me propozimin që në seancë dëgjimore të ftohet edhe eksperti mjeko – ligjor i psikiatrisë. Sot, me datë 10 shtator jemi informuar se personi me inicialet A.F ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe është urdhëruar autopsia e trupit të pajetë, për çka edhe vepra penale do të ri cilësohet në Vrasje e rëndë nga neni 173 i Kodit Penal të Kosovës”.
Personi që humbi jetën nga ky rast është Aulon Ferizi, 21 vjeçar.