Një përleshje e armatosur ndodhi mbrëmjen e së dielës në Prishtinë, ku si pasojë një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën.
Të përfshirë në këtë rast, ishin dy familje të njohura të kryeqytetit, ajo Sekiraqa dhe Gashi- Capat.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha se janë marrë disa kamera tek rrugët e vendit të ngjarjes.
Gashi ka treguar se përmes tyre do të bëhet e mundur edhe identifikimi i personave të tjerë nëse kanë qenë të përfshirë në rast.
“Mbi bazën e tyre video-incizimeve jemi duke bërë përpjekje për të identifikuar që nëse personat që ne i kemi të ndaluar janë duke vrapuar në këtë rast apo është edhe ndonjë person tjetër që ne nuk e kemi brenda të arrestuar. Nëse vërtetohet se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në rast, do të merren veprime për t’i arrestuar”, tha ai.
Gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë të cilëve iu plagos një familjar para gjashtë muajsh.