×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Rasti Sekiraqa” e “Vrasja e trefishtë” – rastet që rëndonin mbi 48 vjeçarin që mbeti i vrarë në Kaçanik

    Insajderi
    24 January 2023 - 10:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nustret Cena, 48 vjeçar është vrarë mbrëmë derisa ishte ne veturën e tij. Siç njoftoi policia persona të panjohur dyshohet se kanë shtënë në drejtim të veturës së tij me armë zjarri dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

    Por emri i Cenës është dëgjuar edhe më parë. Përveç se veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emri i tij është i njohur për organet e drejtësisë. Ai përmendet në rastin “Sekiraqa” dhe për një vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007 si dhe në rastin “Zharku”, shkruan Insajderi.

    Cena dyshohej se kishte gisht në shpërthimin që ndodhi në kafenenë “Sekiraqa”, me 27 shtator të 2007-ës. Por me të nisur procesi gjyqësor Nustret Cena ishte liruar nga akuzat.

    Në aktakuzën e 30 shtatorit 2013, prokurorja e rastit “Sekiraqa” kishte kërkuar paraburgim për tre prej tetë të pandehurve në mesin e tyre edhe Nusret Cena.

    Cena ishte paraqitur pa avokat dhe kishte shfrytëzuar të drejtën e tij të qëndrimit në heshtje

    Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe plagosur 11 të tjerë.

    Emri i Nustret Cenës përmendej edhe në rastin e një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007. Ai akuzohej për veprën penale vrasje.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nusret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

    Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

    Nusret Cena, ishte dënuar për zhvatje në rastin “Zharku”. Ai ishte dënuar me 1 vjet e një muaj burgim. Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Cenën fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës.

    Cena dyshohet se mbeti i vrarë, të hënën e 23 janarit pas të shtëna me armë zjarri nga persona të pa njohur deri tani në drejtim të tij. Vdekjen e 48-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark