Reagim i avokatit Venhar Hana dhe sqarim i Gazetës Insajderi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagim i avokatit Venhar Hana dhe sqarim i Gazetës Insajderi

    Insajderi
    17 September 2024 - 10:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka botuar kohë më parë artikullin “Shteti bën raport për ish-avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta pronash me vlera të mëdha në Çagllavicë”. Edhe pse avokatit Venhar Hana i është dhënë mundësia që të komentoi para publikimit, duke e pritur për kohë të mjaftueshme, dhe për më shumë, duke qenë komplet transparent duke ia dërguar edhe dokumentin që është cituar në artikull, dhe i është publikuar po ashtu komenti i tij brenda, i njëjti ka vendosur që të reagoi edhe një herë pas publikimit.

    Pa pasur ndonjë obligim, megjithatë për hir të korrektësisë, dhe për faktin që edhe në komunikim me të i është treguar se nuk ka ndonjë tendencë as ndaj tij, as edhe ndonjë personazhi tjetër në raportimet e tjera, Insajderi vendos që ta botoi edhe këtë reagim. Por, disa pjesë të reagimit ka vendosur që ti censuroi, sidomos emrat që ai përmend dhe janë palë të treta- për të mos vënë në pozitë të pa lakmueshme personat tjerë që ai përmend dhe që mund të mos kenë fare lidhshmëri me situatën.

    Po ashtu lidhur me pretendimet në reagim Insajderi i sqaron edhe avokatit Hana që raportimi është i bazuar në dokumente, fakte, hulumtim dhe impute të dhëna nga burime të afërta me zhvillimet e hetimeve në PSRK ër Byronë Kosovare të Sigurimeve, por po ashtu në komunikim zyrtar me PSRK-në, siç është ky konfirmim i tyre pasi që janë pyetur edhe për raportin për Venhar Hanën edhe raportin tjetër për hetimet në BKS: “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur fillimisht Ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar në PSRK në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale dhe me Kodin e Etikës Profesionale të Prokurorit të Shtetit, sikur edhe të gjitha rastet tjera.
    Jo të gjitha çështjet e cekura në shkresën tuaj, e që kanë të bëjnë me BKS-në dhe shkeljet e pretenduara nga ana e personave ndaj të cilëve është iniciuar rasti, janë duke u trajtuar në PSRK. Do të thotë se, për disa nga çështjet të cilat nuk janë në kompetencë të PSRK-së, policia ishte udhëzuar që t’i adresojë ato tek Prokuroria kompetente.
    Sa i përket pyetjeve të parashtruara, ju njoftojmë se, me dispozitat ligjore të KPP-së, si dhe me dispozitat ligjore relevante të Ligjit nr. 06/L-081 për qasje në dokumente publike, në këtë fazë të procedurës së çështjes, është e garantuar fshehtësia e procedurës
    ”, thuhet në përgjigjen e PRSK-së për Insajderin.

    Insajderi sqaron që e ka pasur të vështirë ta kuptoi krejt frymën e reagimit, dhe mungesën e koncentrimit të avokatit Hana, pasi që në një pjesë ai vë në dilemë se dokumenti është zyrtar, derisa në fund thotë se do të deponoi kallëzim penal për “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 i KPRK-së”. Tash, a është dokument zyrtar apo jo? Deponimi i kallëzimit penal me pretendimin e zbulimit të fshehtësisë zyrtare me automatizëm e konfirmon që dokumenti është zyrtar.

    Për hir të korrektësisë, pa pasur obligim, lexojeni të botuar reagimin e avokatit Venhar Hana. Por, disa pjesë janë të redaktuara, për ti ruajtur palët e treta- siç kemi bërë edhe në artikullin për të cilin është bërë reagimi, ku Insajderi nuk ka publikuar, ende, emrat e  blerësve.

    Reagimi i plotë (me pjesë të redaktuara):

    “Të nderuar,

    Përmes kësaj shkrese, paraqes reagimin tim personal lidhur me përmbajtjen e lajmit në portalin

    “insajderi.org”, respektivisht subjektit Insider L.L.C., të publikuar me datë 09.09.2024 në vegëzen

    https://insajderi.org/shteti-ben-raport-per-ish-avokatin-e-byrose-transaksione-te-dyshimta-pronashme-vlera-te-medha-ne-cagllavice/, me autor Visar Duriqi.

    Si gazetë, si Kryeredaktor e gazetar investigativ, përmes lajtmit të publikuar si më sipër, ju njoftoj se keni shkelur Kodin Etik të Mediave të Shkruara në Kosovë, ngase nuk keni respektuar të drejtën tuaj për informim të saktë dhe të vërtetë mbi faktet dhe rrethanat që keni pretenduar t’i shfaqni përmes shkrimit. Përshkrimi në lajm e në komunikimet elektronike të datës 30.08.2024, nuk paraqesin të vërtetën faktike të cilën supozoni që e keni të konfirmuar përmes dokumentacionit që keni siguruar nga zyrtari policor (i redaktuar) e as nga “konfirmimet” e pranuara nga PSRK, duke pasë për qëllim të drejtpërdrejtë denigrimin e personalitetit tim.

    Të nderuar,

    Për fillim, ju njoftoj se keni dështuar në leximin e dokumentit “shënim zyrtar” i datës 11.12.2023, i hartuar nga zyrtari policor (i redaktuar), e i cili është një draft i panënshkruar nga i njejti, e as që ka ndonjë vulë pranimi në dorëzim pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, siç pretendoni. Nuk keni provuar me provë, se ky raport është i dorëzuar në PSKR, për çka fillimisht, ju ritheksoj se keni raportuar në mënyrë të rrejshme dhe të pavërtetë.

    Përveç se keni dështuar në lexim të dokumentit në fjalë, keni dështuar edhe në leximin e 15 dokumenteve përcjellëse që posedoni, për të publikuar të vërtetën mbi faktin se në gastrën “P71914….-62” me sipërfaqe 536 m2 , është themeluar e drejta e pronësisë në bashkëpronësi ndërmjet pesë (5) blerësve të ndryshëm. Sigurisht, për të themeluar këtë bashkëpronësi në pjesë ideale, blerësit duhet të jenë të ndryshëm nga njëri tjetri, ndërkaq, është i pavërtetë lajmi dhe raportimi juaj se kjo ngastër u është shitur 5 blerësve të ndryshëm në të njejtën kohë.

    Duke qenë se pohoni se keni në posedim edhe “15 dokumente”, që nënkupton se mund t’i keni edhe kontratat e shitblerjes, në “shënimin zyrtar” që keni dërguar në adresën time elektronike janë paraqitur dokumenti 9, 10, 11, 12 dhe 13, e të cilat janë kontrata të shitblerjes të lidhura në të njejtën datë më 05.04.2023, e që mbajnë numrat rëndor të tyre LRP.nr. 2903, 2904, 2905, 2906 dhe 2907, nga të cilat vërtetohet se këto kontrata jo vetëm se janë lidhur në të njejtën ditë, por në të njejtën kohë kur të gjithë blerësit kanë prezantuar në zyrë noteriale dhe kanë lidhur kontratën individuale për bashkëpronësinë. Sipas këtyre kontratave, kjo pronë nuk ka kaluar nga dora në dorë, por përmes përfaqësimit tim është shitur vetëm njëherë dhe jo siç raportohet gabimisht dhe në mënyrë të pavërtetë nga ana juaj.

    Në të njejtën mënyrë, duke raportuar në mënyrë të gabuar dhe të pavërtetë, keni paraqitur lajmin edhe lidhur me lidhjen e kontratave noteriale me datë 21.06.2022, e që në shënim zyrtar janë paraqitur dokumenti 4 dhe 5, e që mbajnë numrat rëndor 7320 e 7322, që vërteton se këto jo vetëm se janë lidhur në të njejtën ditë, por në të njejtën kohë kur të gjithë blerësit kanë prezantuar në zyrë noteriale dhe kanë lidhur kontratën për bashkëpronësinë. Edhe në këtë rast, sipas këtyre kontratave, kjo pronë nuk ka kaluar nga dora në dorë, por përmes përfaqësimit tim është shitur vetëm njëherë dhe jo siç raportohet gabimisht dhe në mënyrë të pavërtetë nga ana juaj.

    Në raportimin tuaj, në kuadër të nxitjes së një urrejtje të pritur për figurën time, keni përmendur se “vet fjala “dyshimtë” është përdorur 12 herë në një raport prej 10 faqesh”, ndërkohë që në një raportim tuajin të pasaktë, emrin tim e keni përdorë më shumë se dyfishin e kësaj, prej 27 herë. Po që se, fjala “dyshimtë” përmendet në këtë raport nga zyrtari policor për 12 herë në kontekstin që fare nuk ka kuptuar drejtë dokumentet në analizë, ashtu le të mbetet për të, por se detyrë e juaja është t’i verifikoni “faktet” që ky dokument e bashkë me ato 15 të tjera, prodhojnë.

    Por, nga ajo që shihet sipas përshkrimit në lajm, edhe gazetari Visar Duriqi ka të njejtat ngecje në të kuptuarit e drejtë të dokumenteve që posedon në lexim, sikurse edhe zyrtari i policisë (i redaktuar) – zbuluesi i dokumenteve zyrtare dhe të dhënave konfidenciale personale e financiare, që ka zbuluar dokumentin “shënim zyrtar” për ju, kur i ka lexuar këto 15 dokumente ndër të cilat edhe kontratat e bashkëpronësisë.

    Përfundimisht, rezulton se në këtë “shënim zyrtar”, fjala “dyshim” e përmendur për 12 herë, në së paku 10 prej tyre rezultoka nga të moskuptuarit e kontratave mbi themelimin e të drejtës së bashkëpronësisë, siç pretendohet edhe nga ana juaj dhe zyrtarit policor, t’i trajtoni këto në mënyrë tërësisht tjetër nga ajo që në të vërtetë janë.

    Publikimi në lajm i përmbajtjes, citoj: “Raporti, i ndërtuar edhe mbi 15 dokumente të tjera, që i posedon Gazeta Insajderi, gjen që brenda të të njëjtës ditë e njëjta pronë me të njëjtën sipërfaqe e tek i njëjti noter është shitur pesë herë nga avokati Venhar Hana tek pesë persona të ndryshëm”., është i pasaktë dhe i pavërtetë.

    Një e metë vijuese në shkrimin e publikuar, është edhe dhënia e opinionit të gazetarit lidhur me dokumentet që ka para tij, kur thekson se “Policia në këtë raport nuk përmend të ketë gjetur ndonjë dokument që shitjet janë anuluar, por gjen që për çudi, edhe pse ishte prona e njëjtë, me sipërfaqe identike e numër identik të regjistrimit në kadastër, pesë personave të ndryshëm”, sikur i njejti ka një informacion që zyrtari policor (i redaktuar), “ka kërkuar” nëse ndonjëra nga këto kontrata të jetë anuluar, që vërteton edhe më tutje faktin se i njejti, as që i ka kuptuar dokumentet që ka për lexim, në mënyrë të njejtë sikurse dhe gazetari.

    Më tutje, në komunikimin elektronik të datës 30.08.2024, të kryer nga gazetari Visar Duriqi, i njëjti thekson se “Nga PSRK kemi marre pergjigje qe ata jane duke zhvilluar nje hetim per zhvillimet ne BKS pas raporti te BQK-se te skanimit te gjendjes”, mirëpo, në lajmin e publikuar, rezulton një informacion krejtësisht tjetër, kur citon përgjigjen e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës se “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur fillimisht Ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar në PSRK në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale dhe me Kodin e Etikës Profesionale të Prokurorit të Shtetit, sikur edhe të gjitha rastet tjera”, i ka thënë Insajderit PSRK-ja përmes përgjigjeve me shkrim”. Ky, model i një shantazi të lehtë nga gazetari, i kuptueshëm.

    Më tutje, gazetari duket se ka një qëllim e tendencë, të vënies në lajthim të subjektit tim, kur në mënyrë të pavërtetë shtrembëron përgjigjen e institucionit shtetëror PSRK. Në përgjigjen time në pyetjet e gazetës, kam kërkuar që të publikohet aktvendimi për fillimin e hetimeve ndaj meje, meqenëse jam në “fokus” të gazetës për vënien në dijeni të publikut për “veprimet e mia të dyshimta” në detyrën e përfaqësuesit të autorizuar, por se, gazeta edhe njëherë, ka dështuar të mbështetë me provë e fakt, pohimin e saj se PSRK qenka duke zhvilluar një hetim, kur nga vetë përgjigja e këtij institucioni kuptohet se “rasti në fjalë është duke u trajtuar në PSRK”, e nuk është dhënë fare ndonjë konfirmim nëse ka ose jo hetime formale.

    Gazetari Visar Duriqi, siç duket ka “hulumtuar” gjatë për të vërtetuar ekzistimin e raportit shoqëror me subjektin Dren Paca, ngase gazeta juaj edhe paraprakisht ka publikuar fotografi me ish kolegë në lajm me përmbajtje shpifëse dhe është publike se të gjithë personat në atë fotografi kemi qenë ish-kolegë në Byro. Unë kam raporte shoqërore me Dren Pacën dhe jo me Prokurorin Special, siç me ëndje tenton t’a shpërfaq si të tillë dhe se kjo shoqëri nuk ka të bëj me asnjë interes e as ndikim, siç jeni munduar t’a paraqitni në lajm.

    Në lajm, lidhur me fotografinë e publikuar është paraqitur fjalia se: “Fotografia është e shkrepura mbi dy vite më parë, dhe sipas burimeve të Insajderi, kishte qenë për pak publike, por pastaj u largua nga rrjetet sociale. Fotografia është bërë në Vjenë të Austrisë”. Kjo fjali, ka edhe pasaktësi, edhe të pavërtetë por edhe qëllim ç’orientues të publikut, përmes gënjeshtrës.

    Fotografia, nuk ka qenë asnjëherë “për pak publike”, e që “pastaj u largua nga rrjetet sociale”, por se ENDE ËSHTË PUBLIKE dhe ASNJËHERË NUK ËSHTË LARGUAR NGA RRJETET

    SOCIALE. Këtë fjali, e keni theksuar për të dhënë konotacion të fjalisë kinse fotografinë nuk e keni marrë nga rrjeti social instagram i mikut (i redaktuar), por diku tjetër, e që paska mundësi të mos jetë më aty. Fotografia është marrë nga ju, nga ky profil në rrjetin social instagram, dhe ende është i publikuar aty, e ajo as që është vendosur për ju, e as që largohet, për ju.

    Sa i përket “dyshimeve” tuaja për “mundësinë e ndikimit” të Prokurorit Special Dren Paca, i njëjti është tërësisht hamendësues i pabazë, ngase as që jam në njohuri për ndonjë hetim që mund të ketë qenë në proces, por se, për të gjitha veprimet e mia në detyrë si përfaqësues, jam plotësisht përgjegjës dhe mbaj përgjegjësi individuale, nëse kjo eventualisht do të ishte çështja.

    Lidhur me raportin e quajtur “shënim zyrtar” i datës 11.12.2023 të cilin ju e posedoni, në të cilin zyrtari policor (i redaktuar) ka paraqitur veprimet e mia në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar, nuk ka paraqitur asnjë provë e asnjë dëshmi mbi kryerjen e ndonjë veprimi inkriminues drejt kryerjes së ndonjë vepre penale, por se, (mos) “veprimin e pritur të zyrtarit policor (i redaktuar)” nga institucionet shtetërore si PSRK apo DHKEK keni tentuar t’a ndërlidhni me “mundësinë e ndikimit” të një mikut tim, i cili ka detyrën e prokurorit special.

    Kjo ndërlidhje në mënyrë perfide nga ana e gazetës, nga mospasja e ndonjë elementi kriminal për të vepruar nga institucionet në rrugë zyrtare e ligjore ndaj meje në raport me “ndërhyrjen e mundshme” siç pretendoni, paraqet veçse një provë të kryerjes së detyrës si “argat i dreqit”, për të arritur qëllimet e caktuara të zyrtarit policor (i redaktuar) si furnizues i juaji me dokumente zyrtare e të dhëna konfidenciale, dhe më gjërë, në drejtim të denigrimit në opinion të personalitetit tim dhe të një ish-kolegut tim në Byronë Kosovare të Sigurimit, që tani mban pozitën e prokurorit.

    Në anën tjetër, për fund, ju njoftoj se ndaj gazetës Insider L.L.C. dhe personave përgjegjës, përfshirë gazetarin Visar Duriqi, do të paraqes kallëzim penal për dyshimin se bashkërisht kanë kryer veprat penale Zbulimi i paautorizuar i informacionit konfidencial nga neni 200 i KPRK-së, siç tani i është paraqitur kallëzimi penal zyrtarit policor (i redaktuar) për shkak të dyshimit të kryerjes së vepres penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 i KPRK-së.

    Prandaj, këtë reagim kërkoj t’a publikoni të plotë siç është, menjëherë, në rubrikën tuaj të reagimeve.

    Suksese.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark