Reagime pas lajmit se zonja e parë nuk do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Reagime pas lajmit se zonja e parë nuk do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë

    Insajderi
    22 November 2016 - 09:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lajmi se Melania dhe Barron nuk do t’i bashkohen Donad Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, ka befasuar jo pak njerëz, por gjithashtu është përshëndetur nga të tjerë.

    Presidenti i zgjedhur tha se bashkëshortja dhe djali i tyre do të zhvendoseshin në Uashington shumë shpejt pasi Barron të mbaronte shkollën, por pa ofruar një datë.

    Këmbëngulja e zëdhënësit të tranzicionit Jason Miller se familja e Trumpit ishte shumë e entuziazmuar për rolin e ri në shërbim të vendit, por se thjesht ishte e shqetësuar për ndryshimin e shkollës së djalit në mes të vitit, ndikoi shumë pak në shuarjen e kritikave në rrjetet sociale.

    Disa përdorues e kanë cilësuar si të tmerrshëm vendimin e Melanias për të thyer traditën e gjatë amerikane, që parashikon qëndrimin e familjes presidenciale në Shtëpinë e Bardhë.

    Të tjerë thanë me shaka se vendimi ishte nxitur nga shija e zonjës Trump për mobiljet e rezidencës, ndërsa disa spekuluam mbi atë që do nënkuptonte kjo gjë në martesën e çiftit, shkruan Tch.

    Gjithsesi reagimet janë të natyrshme, duke qenë se vetëm dy zonja të para në historinë e Shteteve të Bashkuara nuk e kanë bërë Shtëpinë e Bardhë banesën e tyre gjatë presidencës së bashkëshorteve; Martha Washington, sepse ende nuk ishte ndërtuar dhe Ana Harrison, sepse bashkëshorti vdiq përpara se të shkonin atje.

    Por vendimi zonjës Trump ka mbështetësit e vet. Ata thonë se kjo është ajo që do të bënin të gjithë prindërit të përgjegjshëm për fëmijët e tyre. Edhe pse Melania e ka theksuar shpesh gjatë fushatës se djali i saj 10-vjeçar ishte prioritet i saj, shembuj të nënave të tjera me fëmijë në Shtëpinë e Bardhë ka plot.

    Gjatë 3 dekadave rezidenca presidenciale ka pritur 2 breza fëmijësh, Chelsi Clintonin, e cila ishte 12 vjeç në atë kohë dhe Malia e Sasha Obaman, 10 dhe 7 vjeç respektivisht.

    Zyrtarisht roli i zonjës së parë është vetëm ceremonial edhe pse vitet e fundit disa prej tyre janë aktivizuar në mbështetje të kauzave të ndryshme. Zonja Obama e shfrytëzoi kohën e saj duke përkrahur një sërë iniciativash të tilla, si ajo për arsimimin e vajzave në të gjithë botën.

    I vetmi interes që ka shprehur deri më tani Melania është ai i luftës kundër bullizmit kibernetik. Por ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, disa nga detyrat e zonjës së parë mund t’i marrë vajza e presidentit. Po nëse do të mundet Ivanka, të marrë përsipër disa prej përgjegjësive të njerkës, kjo mbetet për t’u parë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    10 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark