Zëri i Amerikës mori mendimin e amerikanëve nga qendrat e votimit në mbarë vendin lidhur me çështjet që ata i cilësojnë si më të rëndësishmet për ta, duke i pyetur se për kë votuan dhe përse?
Në Dearborn të shtetit Miçigan, Zaharaa Alakashi e lindur në Arabinë Saudite tha se ndihej e shqetësuar nga kandidati republikan Donald Trump, i cili në të kaluarën ka bërë thirrje për ndalimin e imigrantëve myslimanë që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Alakashi mbështet Hillary Clintonin.
“Kjo është hera e dytë që votoj. Votën e parë e hodha për Barack Obamën, presidentin e parë afrikano-amerikan. Kësaj radhe vota është për atë që shpresojmë të jetë gruaja e parë presidente. Është moment shumë emocional. Mendoj se shumë njerëz janë të shqetësuar nga gjërat që thotë Trump”, thotë ajo.
Në Meklin të shtetit Virxhinia pranë kryeqytetit amerikan, Ellis Richard Salvia, tregon se përse e mbështet kandidatin Trump:
“Për ta shpëtuar Amerikën nga njerëz që po e dëmtojnë atë. Obama dhe Cliton po e bëjnë këtë. Me kufinj të hapur dhe urdhëra ekzekutivë. Ne duam që Amerika të bëhet vendi më i mirë në botë. Kur Amerika është në gjendje të mirë, gjithë bota është mirë”.
Jons Saksovsky po ashtu foli në mbështetje të kandidatit republikan. Votuesja Kathy Morgan theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në votime.
“Që të jem pjesë e demokracisë, që të më dëgjohet zëri. Që të jem pjesë e vendit tim”, tha ajo, njofton Zëri i Amerikës.
Banorja e Filadelfias, Aurora Davis, tha se çështjet e grave janë shumë të rëndësishme për të.
“Pa dyshim çështjet e grave, dikush që mbështet interesat e mia dhe u jep zë atyre. Ajo është Hillary Clinton. Nuk mendoj se Donald Trump po mbështet çështjet e grave”, tha ajo.
Në Nju Jork, një votuese që u identifikua si Jamie, tha se ishte e lumtur që sezoni i “hidhur” zgjedhor po përfundon. “Ka qënë e tmerrshme, pres me padurim që të përfundojë”, tha ajo ndërsa shprehu shpresë që fituesi i zgjedhjeve të jetë një grua, duke ju referuar kandidatet Clinton.