Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm ndaj Kuvendit të republikës së Kosovës, duke e quajtur veprim me elemente terroriste.
“Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës”, është shprehur kreu i Kuvendit Kadri Veseli.
Nga ana tjetër edhe organizata për monitorimin e punës së Kuvendit, KDI këtë sulm e ka quajtur sulm ndaj demokracisë.
“Instituti Demokratik i Kosovës dënon rëndë sulmin e mbrëmshëm me zollë kundër Kuvendit të Kosovës. Sulmet e tilla cenojnë rëndë rendin dhe ligjin e shtetit, e mbi të gjitha demokracinë në vend”, shkruan në komunikatën e KDI-së.
Po ashtu edhe tri partitë opozitare të vendit dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktet e tilla janë të pa pranueshme dhe bënë thirrje që organet e sigurisë të merren seriozisht për zbardhjen e këtij rasti.
“Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i bënë thirrje organeve të sigurisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti. Megjithëse janë dhënë shumë pak informacione rreth rastit, ne konsiderojmë që nuk mund të këtë motiv që do të justifikonte aktet e tilla”, thotë VV përmes një komunikate për media”.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë Kosovës ka thënë se ky sulm është sulm ndaj shtetit.
“Ngjarja e sotme në Prishtinë, është një akt kriminal, i cili kërkon zbardhje urgjente. Sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës”, vlerëson AAK.
Po ashtu edhe kreu i Nismës Fatmir Limaj thotë se mbrëmë u godit shteti ynë.
“Goditja e ndërtesës së Parlamentit të Kosovës është goditje ndaj shtetit tonë. Pres që organet e sigurisë t’i kapin kryesit e këtij sulmi. Duhet dënuar fuqishëm ky akt kundër shtetit, paqes, lirisë e demokracisë tonë”, ka shkruar Limaj në Facebook. /Insajderi.com