Reagimi i Bashkimit Evropian për trenin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagimi i Bashkimit Evropian për trenin

    Insajderi
    14 January 2017 - 16:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar intervenim të Bashkimit Europian për ta ndaluar trenin ilegal që është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e i cili është i veshur me afishe e mesazhe kundër shteti të Kosovës, por nga BE-ja thonë se kjo s’është punë e tyre.

    Zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kocijançiq, në një prononcim për Klan Kosovën ka deklaruar se jo vetëm kjo çështje, por edhe të gjitha problemet që dy vendet – Kosova e Serbia – i kanë mes vete duhet t’i zgjidhin me dialogë të përbashkët.

    “Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, ka pohuar Kocijançiq, për Klan Kosovën.

    Sipas saj, vendi ku dy shtetet duhet të zgjidhin problemet që kanë është Brukseli.

    “Platforma për të diskutuar këto çështje është dialogu”.

    “Qasja konstruktive në dialog është një kërkesë esenciale për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, deklaroi zyrtarja e BE-së.

    Treni serb i blerë me kredi ruse tashmë është nisur për në Mitrovicë. Brenda trenit ka afreska kishtare, ndërsa jashtë tij në gjuhë të ndryshme shkruan se “Kosova është Serbi”.

    Kjo frazë është e shkruar madje edhe në gjuhën shqipe.

    Gjatë ditës, të paktën deri më tani, për ardhjen e këtij treni, për të cilën nuk është dhënë leje nga institucionet e Kosovës, nuk është deklaruar as kryeministri, Isa Mustafa, e as Kryeparlametnari dhe kryetari i partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli.

    I vetmi nga zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës që ka dhënë opinionin e tij është Presidenti, Hashim Thaçi.

    Ai ka deklaruar, përmes llogarisë së tij në Facebook, se ky tren duhet të ndalohet menjëherë.

    “Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar Thaçi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark