Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se Moska nuk do ta përjashtojë askënd në kundërpërgjigje të vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dëbuar 35 spiunë të dyshuar rusë që sipas Uashingtonit kanë ndërhyrë në zjgedhjet presidenciale të vitit 2016.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka propozuar në fillim që të dëbohen 35 diplomatë të SHBA-ve, pasi presidenti në largim i Amerikës, Barack Obama vendosi edhe sanksione ndaj Rusisë, raporton Reuters.
Por Putin tha se do të presë veprimet që do të ndërmarr presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, përpara se të vendosë në çdo hap të mëtejshëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
“Ne nuk do ta përjashtojmë askënd”, tha Putin në një deklaratë të premten. “Duke e mbajtur të drejtën për masa hakmarrëse, ne nuk do të zbresim në një nivel të papërgjegjshëm të dioplomacisë.”
Ai ka ftuar edhe fëmijët e diplomatëve të SHBA-ve në një aheng në Kremlin.
Nuk është ende e qartë nëse Trump – i cili ka lavdëruar në mënyrë të përsëritur Putinin dhe ka emëruar në poste të larta administrative njerëz që janë miqësor ndaj Moskës – do të ndryshojë masat dhe sanksionet që SHBA ka vënë ndaj Rusisë, e cila mund të dërgojë në nisjen e sërishme të një Lufte të Ftohtë.
“Hapat e mëtejshëm drejt rivendosjes së marrëdhënieve ruso-amerikane do të ndërtohen mbi bazën e politikës të cilën do ta bëjë administrata e presidentit Trump”, ka thënë Putin. /Insajderi.com