Fituesi i “Topit të Artë” do të mësohet sonte.
Më i miri i botës mësohet sonte me fillim nga ora 20:00 në kryeqytetin francez, Paris.
Deri pak orë para, fitues absolut thuhej të ishte Vinicius Junior i Real Madridit, por gjërat tashmë duket se kanë ndryshuar.
Sipas mediave spanjolle e franceze, “Topin e Artë” do ta fitojë Rodri i Manchester Cityt.
Kësisoj, Real Madridi ka vendosur të mos jetë fare prezent në këtë ceremoni, duke anuluar fluturimin në momentet e fundit.
Mirëpo, për këto lajme të publikuara, kanë reaguar edhe organizatorët e ceremonisë së këtij çmimi.
Ata kanë folur për “Associated Press”, duke thënë se fituesi ende nuk dihet.
“Asnjë lojtar e asnjë klub nuk e di fituesin e ‘Topit të Artë’ të sivjetëm”, kanë thënë ata shkurtimisht për “AP”.