Analogjia që presidenti filipinas Rodrigo Duterte bëri mes vetes dhe Adolf Hitlerit, si dhe deklarata e tij se do t’i shfaroste pa hezitim 3 milionë trafikantë e përdorues droge, janë konsideruar “thellësisht shqetësuese” në Uashington.
“Partneriteti i Amerikës me Filipinet mbështetet në themelin e ndarjes së vlerave të përbashkëta ku përfshihet përkrahja e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Komentet e presidentit Duterte përbëjnë një shkëputje të ndjeshme nga ajo traditë dhe ne i shohim me shumë shqetësim”, u shpreh Mark Toner, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
OKB-ja dhe grupi hebraik B’nai B’rith nuk u kursyen as ato me kreun e shtetit filipinas, i cili po ngjall polemika të mëdha nëpër botë me luftën e egër kundër drogave që ka kushtuar deri tani 3.000 jetë njerëzish.
“Mendoj se çdo përdorim i Holokaustit dhe i vuajtjeve të tij për t’u krahasuar me një fenomen tjetër është krejtësisht i pavend dhe nuk ka sesi të mos hidhet poshtë”, u shpreh Stephane Dujaric, zëdhënës i OKB-së.
“Komente të tilla tregojnë ose një nivel tmerrësisht të lartë injorance, ose përbuzje ndaj historisë, ose të dyja bashkë”, tha Daniel Mariaschin, zv/president i B’nai B’rith International.
Hitleri, u shpreh me herët Duterte, masakroi miliona hebrenj. “Ne kemi tre milionë shpërndarës dhe të droguar e unë këta do t’i masakroja me kënaqësi”.
Presidenti shtoi se kritikët vetë e kanë përshkruar si kushëri të Hitlerit dhe shtoi se nëse Gjermania kishte liderin nazist, Filipinet kanë Duterten.