Asamblisti i LDK-së në Podujevë, Ekrem Rrahmani, ka reaguar pas përplasjes së ashpër me kryetarin të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit.
Rrahmani, i cili u ndalua nga policia dje tha se është e papranueshme se si Bulliqi, përdor mekanizmat e shtetit për të arrestuar njerëz që i dalin kundër.
“Është e papranueshme, e rrezikshme dhe neveritëse mënyra se si Bulliqi tenton të mbajë peng punën e kuvendit duke përdorur mekanizmat e shtetit për të arrestuar njerëz vetëm pse ia thonë në sy të vërtetën që mendojnë e shprehen ndryshe, e sidomos ata që për këtë punë kanë marrë mandat nga qytetari”, tha ai.
Rrahmani ka akuzuar kryetarin e Podujevës për pazare të ulëta dhe tradhti.
“Unë jam këtu për të mbrojtur interesat e votuesve të mi dhe për të siguruar që ne, LDK përfaqësojmë përgjegjshëm interesat e tyre. Tradhtarët që kanë braktisur sofrën që i rriti, ata që kanë shkelur besimin e qytetarëve tanë duhet të japin llogari dhe duhet të përballen me të vërtetë, ndërsa unë dhe LDK do të vazhdojmë të luftojmë gjithmonë për një qeverisje e udhëheqje të pastër e të drejtë, megjithëse këta të sotmit në pushtet nuk mund ta ofrojnë këtë!”, ka shkruar asamblisti i LDK-së
Pas përplasjes verbale që patën, asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani, i ishte afruar Kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqit.
Pas kësaj ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.