Reagon avokati i Edin Nevzadit: I pafajshëm, është viktimë e një denoncimi të rremë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon avokati i Edin Nevzadit: I pafajshëm, është viktimë e një denoncimi të rremë

    Insajderi
    01 April 2025 - 19:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Besnik Beqiri, avokat i Edin Nevzadit, ka reaguar lidhur me raportimet në media ku ky i fundit përmendet si administrator i grupit famëkeq “Albkings”.

    Beqiri ka thënë se Nevzadi ka besuar në pafajësinë e tij dhe ka ofruar bashkëpunim me hetuesinë dhe prokurorinë.

    “Që nga momenti i arrestimit nga Policia, Edini, duke qenë i bindur në pafajësinë e tij dhe duke dashur që sa më parë të zbardhet e vërteta, ka ofruar bashkëpunimin e tij të plotë dhe pa rezerva me Hetuesinë dhe Prokurorinë. Ai ka theksuar se është viktimë e një denoncimi të rremë dhe, për të dëshmuar pafajësinë e tij, ka ofruar edhe fjalëkalimin e telefonit të tij, me qëllim që hetimet të zbardhin sa më shpejt të vërtetën se ai nuk ka qenë administrator dhe as anëtar i thjeshtë i grupit “Albkings””, ka thënë ndër të tjera Beqiri.

    Reagimi i plotë:

    Si avokat i Edin Nevzadit, me kërkesën e tij dhe të familjes së tij, në lidhje me raportimet në media ku ai ende përmendet si “koka” e grupit famëkeq “Albkings”, bëjmë këtë reagim:

    Edin Nevzadi është arrestuar si i dyshuari kryesor i grupit famëkeq “Albkings”, nën pretendimin e Prokurorisë se ai ka qenë administratori kryesor i këtij grupi. Gjatë fazës hetimore, sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, ai është dyshuar për dy vepra penale:

    1. Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve, sipas nenit 277/H, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 08/L-188 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së.

    2. Shantazhi, sipas nenit 329, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së.

    Që nga momenti i arrestimit nga Policia, Edini, duke qenë i bindur në pafajësinë e tij dhe duke dashur që sa më parë të zbardhet e vërteta, ka ofruar bashkëpunimin e tij të plotë dhe pa rezerva me Hetuesinë dhe Prokurorinë. Ai ka theksuar se është viktimë e një denoncimi të rremë dhe, për të dëshmuar pafajësinë e tij, ka ofruar edhe fjalëkalimin e telefonit të tij, me qëllim që hetimet të zbardhin sa më shpejt të vërtetën se ai nuk ka qenë administrator dhe as anëtar i thjeshtë i grupit “Albkings”.

    Pavarësisht kësaj, gjatë kohës që Edini ka qenë në paraburgim, në media dhe rrjete sociale është zhvilluar një fushatë e padrejtë, denigruese dhe e dëmshme kundër tij. Ai është portretizuar me fotografi dhe tituj sensacionalistë si “Administrator i grupit famëkeq Albkings”, në kundërshtim të plotë me parimin themelor të drejtësisë – prezumimin e pafajësisë. Kjo situatë ka shkaktuar vuajtje të mëdha për të dhe për familjen e tij, pasojat e së cilave i vuajnë ende sot.

    Pas gjashtë muajsh hetimesh dhe qëndrimi në paraburgim, Prokuroria nuk ka gjetur as edhe një provë të vetme që e implikon Edin Nevzadin me grupin “Albkings”. Megjithatë, e ndikuar nga ekspozimi i lartë mediatik i çështjes, pavarësisht mungesës së provave që e implikojnë Edin Nevzatin me “Albkings”, Prokuroria për një arsye apo tjetër nuk ka guxuar ta lirojë atë nga kjo procedurë. Por, në vend të kësaj i ka propozuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë për një vepër krejt tjetër penale, e cila nuk ka asnjë lidhje me akuzat fillestare. Sipas kësaj marrëveshjeje, Edini do të pranonte fajësinë për veprën penale të “Shtrëngimit”, sipas nenit 192 të Kodit Penal – një vepër e dënueshme me burgim deri në një vit. Pretendimi i Prokurorisë ishte se Edini kishte kanosur ish të dashurën e tij për të kryer një veprim të caktuar.

    I gjendur në një situatë të rëndë emocionale si një person i pafajshëm, pas më shumë se gjashtë muajsh paraburgim dhe duke e përjetuar padrejtësinë e sistemit mbi supe, Edini e ka parë pranimin e kësaj marrëveshjeje si të vetmen mundësi për t’u liruar, pavarësisht mungesës së provave për ta mbështetur këtë akuzë të re. Në kuadër të marrëveshjes, Prokuroria ka rekomanduar një dënim me 7 muaj burg me ndërprerjen e menjëhershme të paraburgimit.

    Pas lirimit, i traumatizuar nga përvoja e tij, Edini është kthyer në vendlindjen e tij, në një fshat të Bujanocit.

    Sot, 5 muaj nga lirimi i tij nga paraburgimi, edhe pse Prokuroria nuk e ka më të njëjtin qëndrim për lidhjen e tij me grupin “Albkings”, ai vazhdon të kryqëzohet publikisht nga mediat si administratori i këtij grupi. Andaj, për shkak të mungesës së besimit në sistemin e drejtësisë, Edini ka refuzuar që dje të marrë pjesë në seancën për aprovimin e marrëveshjes.

    Kërkojmë nga mediat dhe institucionet relevante të respektojnë të drejtat e tij dhe të ndalojnë raportimet e padrejta, të cilat po dëmtojnë rëndë jetën dhe reputacionin e tij.

    Në të kundërtën, do të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit të tij dhe familjes së tij.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark