Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se ajo ka shpenzuar vetëm 25 euro për udhëtime dhe akomodime jashtë vendit vitin e kaluar, si përgjigje ndaj raportimeve të Gazetës Fjala se “Dërguti ka shpenzuar 1449 euro për dy ditë akomodimi në Shqipëri”.
Dërguti ka thënë se shuma që ajo ka shpenzuar për vizitën dy ditore të saj në Shqipëri, më 5 dhe 6 qershor të vitit të kaluar, është 60 herë më e ulët se ajo që është raportuar në medie.
“Listës së shpenzuesve tepër dorëlirë i ishte shtuar edhe emri im me një shumë shumë më «modeste» se ato të shpenzimeve të të tjerëve, edhepse edhe ajo shifër që gjoja lidhej me mua, në raport me ato që unë realisht e ligjërisht kam shpenzuar është fryrë për mbi 60 herë”, ka thënë Dërguti.
“Fakturat dhe dëshmitë e mia tjera tregojnë sa larg mund të shkojë keqdashësia e manipulimi”, ka thënë ajo.
Dërguti përmes rrjetit social Facebook, ka shpërndarë edhe foton e faturës së pagesës së akomodimit për qëndrimin dy ditor në Shqipëri. /Insajderi.com