Familja Dehari: Autopsia e djalit të mos bëhet pa praninë e mjekëve të caktuar nga ne - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Familja Dehari: Autopsia e djalit të mos bëhet pa praninë e mjekëve të caktuar nga ne

    Insajderi
    05 November 2016 - 22:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Familja e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që sot ndërroi jetë derisa ishte i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka kërkuar që autopsia e djalit të tyre të bëhet nga mjekë të përzgjedhur nga familja.

    Familja Dehari ka kërkuar që autopsia e djalit të tyre të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga vetë familja.

    “Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja”, thuhet në reagimin e familjes Dehari.

    Ata kanë thënë se arsye për këtë hap që e kanë ndërmarr, janë deklaratat kontradiktore, që sipas tyre i kanë dhënë disa nga institucionet shtetërore.

    “Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja”, thotë familja Dehari.

    Astrit Dehari, 26-vjeçar, ka ndërruar jetë sot pasdite teksa po qëndronte në paraburgim prej 68 ditësh në Qendren e Paraburgimit në Prizren.

    Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark