Reagon familja Gërvalla: Incidenti i klanit të Mustafës na kujton kohën e Serbisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon familja Gërvalla: Incidenti i klanit të Mustafës na kujton kohën e Serbisë

    Insajderi
    21 May 2016 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Familja Gërvalla nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova, përmes një komunikatë të përbashkët e ka quajtur incidentin e ndodhur mbrëmë, si veprim që ngjanë me atë të regjimit të dikurshëm serb.

    “Ky incident i parapërgatitur, tepër i rëndë jo vetëm për një femër, na e ka kujtuar kohën e regjimit pushtues serb, për të cilën ka luftuar e tërë familja jonë, duke dhënë madje edhe dy heronj”, thuhet në reagimin e tyre.

    Ata thonë se duke e ditur qëndrimin e Donika Gërvallës, e cila sipas tyre, dëshiron t’ia kthejë dinjitetin LDK-së, nuk e lanë të futej në zyrë.

    “Elementë të klanit të Mustafës, duke e ditur qëndrimin e Donikës për t’ia kthyer dinjitetin kombëtar kësaj partie, ashtu si e kishte në kohën e dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm që nuk e kanë lënë të marrë pjesë në mbledhje, por fizikisht, duke e tërhequr zvarrë, nuk e kanë lënë të hyjë në sallë”, thuhet në reagim, përcjell Insajderi.

    Familja Gërvalla, thotë se bashkë edhe me pjesën tjetër të shoqërisë, do të mbështesë edhe më tutje mendimet dhe veprimet, që kanë vlera kombëtare, shtetërore dhe demokratike, kundër të cilave ka ndodhur ky incident.

    “Vetëm me këto vlera mund të shkojmë përpara për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë demokratike, në të cilën ka vend shprehja e mendimit të lirë, e pranueshme për tërë qytetërimin evropian dhe botëror”, ka thënë familja, teksa ka pasur një porosi për Mustafën në fund të këtij reagimi.

    Donika Gërvalla nuk e lejua mbrëmë të futej në mbledhjen e KP të përgjithshëm të LDK-së, madje u tërhoq zvarrë nga rojet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark