×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Reagon FFK: Futbolli është argëtim, jo vend për kërcënime e dhunë!

    Insajderi
    25 April 2024 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, lidhur me rastin e rrahjes së drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberit me kryesinë e tifo-grupit, Intelektualët.

    Tre persona nga kjo ngjarje kanë përfunduar në ndalim prej 48 orësh, ndërsa tani ka ardhur edhe reagimi nga Federata e Futbollit e Kosovës.

    Reagimi i plotë i tyre, pa ndërhyrje:

    Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër retorikën e dhunës, kërcënimeve e ofendimeve të shfaqura në stadiume, në media dhe në të gjitha sferat e futbollit kohët e fundit. Ne ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë sport që t’u shmangen veprimeve që dëmtojnë reputacionin e futbollit.

    FFK, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, institucionet e tjera shtetërore si dhe UEFA-n e FIFA-n, angazhohet në luftën e pakompromis kundër çdo forme parregullsie në futboll. Çdo veprim i kundërligjshëm do të ndëshkohet me vendosmëri, bazuar në faktet dhe rregullat e futbollit.

    Futbolli është jo vetëm një garë sportive, por edhe një formë e argëtimit. Prandaj, veprimet që shkelin vlerat e këtij sporti duhet të përjashtohen plotësisht dhe të mos gjejnë vend në futboll.

    Të gjithë pjesëmarrësit në futboll duhet të kuptojnë dhe të kujdesen për misionin e tyre: futbollistët për performancën e tyre, trajnerët për edukimin dhe përgatitjen e ekipit, drejtuesit e klubeve për organizimin dhe krijimin e kushteve më të mira, gjyqtarët për drejtësi, tifozët për mbështetjen e klubit dhe korrektësinë ndaj kundërshtarit, dhe gazetarët për pasqyrimin e vlerave të futbollit dhe kritikën pa tendencë.

    Edhe njëherë rikujtojmë çdo palë në futboll që FFK-ja është e pakompromis në luftën e dukurive negative dhe kushdo që e shkel integritetin e garave dhe rregulloret e garave do të ndëshkohet me dënimin më të rëndë, pasi do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që dëmntojnë futbollin.

    Ne po e bëjmë të pamundurën për ta ngritur futbollin, për të licencuar trajnerë, për të ndihmuar në aspektin teknik, ekonomik e infrastrukturor, prandaj kërkojmë rregullsi dhe disiplinë sportive.

    Edhe një herë ju lusim që ta ruani integritetin e garave, duke ju paralajmëruar njëherësh se të gjitha xhirot e mbetura janë të monituruara në maksimum.

    Besojmë se vetëm duke i bashkuar forcat mund ta ruajmë integritetin dhe reputacionin e futbollit në Kosovë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark