
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka reaguar pas përplasjes që ka pasur sot me një qytetar. Qytetari që u përplas me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në një lokal në Prishtinë, është liruar në procedurë të rregullt, pasi u intervistua nga Policia në cilësinë e të dyshuarit për kanosje.
Pacolli, tha se sulmi ndaj saj nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“U përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së”, tha ajo.
Sipas saj qytetari ka sulmuar fizikisht asistentin e saj.
“Kjo video nuk është e plotë. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur momentin kur agresori e sulmon fizikisht asistentin tim, si dhe çastin kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë. Agim Pllashniku u afrua me tonë e mënyrë kërcënuese pranë tavolinës ku isha ulur, duke shfaqur qartazi qëllime agresive dhe provokuese.
“Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes. Këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale. Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë. Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin”, ka shkruar ajo në reagimin në “Facebook”.