Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në media se ajo ka shpenzuar “pa kontrollë” në fund të mandatit të saj, me shpenzime që arrinin deri në 95 mijë euro në muaj.
Përmes një reagimi të publikuar në faqen e saj në Facebook, Zyra e ish-presidentes Jahjaga ka thënë se Jahjaga ka bërë një numër vizitash në fillim të këtij viti dhe se ajo nuk e ka “falimentuar” presidencën ashtu sic është shkruar në artikull.
“Për shkak të korrektësisë dhe ndjenjës së përgjegjësisë, bën të ditur se zonja Jahjaga nuk e ka “falimentuar” Zyrën e Presidencës, dhe se vizitat e saj jashtë vendit në periudhën Janar-Prill 2016, kanë pasur për qëllim përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës nëpër forume dhe takime të rëndësishme si shtet, në nivel të barabartë me shtetet tjera dhe asnjëherë promovimin personal”, thuhet në reagim.
Për më tepër, në reagim thuhet se “pavarësisht intensitetit të shtuar të punës, dhe përfaqësimit global të Kosovës, presidenca ka kursyer deri në 30% të buxhetit çdo vit”.
“Ish-Presidentja Jahjaga është treguar e kujdesshme edhe në periudhën katër mujore në fund të mandatit. Shpenzimet e bëra në këtë periudhë janë diktuar nga agjenda e stërngarkuar e Presidentes dhe ftesat e shumta për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit”, thuhet tutje në reagim.
“Jahjaga jep përgjegjësi për secilin shpenzim të krijuar gjatë mandatit të saj deri në momentin e dorëzimit të detyrës para ceremonisë së inaugurimit”.