Reagon kryetari Svarqa: Nuk e favorizova biznesmenin Tahir Maloku – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon kryetari Svarqa: Nuk e favorizova biznesmenin Tahir Maloku

    Insajderi
    19 April 2017 - 13:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Ferizajit, Muharrem Svarqa, ka reaguar pas publikimit në Insajderi të artikullit “Skandali i Muharrem Svarqës, favorizoi biznesmenin e njohur të Ferizajt”.

    Ka pohuar se nuk ka qenë fare i përfsëhirë në vendimin e marrë, në të mirë të biznesmenit Tahir Maloku, pronar i kompanisë “Fitorja”.

    Megjithatë, e ka mbrojtur vendimin e marrë nga legjislativi i Ferizajit. Ka vlerësuar se Ligji për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme Komunale lë hapësirë për interpretim.

    Së dyti, vendimi i KK-së 01.nr.35 i datës 9.3.2017, hyn në fuqi 15 ditë pas protokollimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Komuna e ka nxjerrë këtë vendim duke u bazuar në Ligjin për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim dhe ky vendim do të kishte fuqi ekzekutive vetëm pas marrjes së opinionit nga ana e ministrisë.

    “Sipas nenit 7 të ligjit të sipërpërmendur, theksohet se vendimi hyn në fuqi pasi të miratohet nga shumica e anëtarëve të kuvendit. Kjo normë jurudike, nuk e përcakton në mënyrë decidive se sa vota duhet t’i ketë një vendim për të hyrë në fuqi. Prandaj çështja e numrit të votave në këtë rast, mbetet çështje e hapur”, ka shkruar Svarqa, në reagimin e tij dërguar Insajderit.

    Gazeta Insajderi ka raportuar se legjislativi i Ferizajit kishte shpërfillur këtë ligj dhe se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte konkluduar se ky veprim përbën shkelje ligjore. Legjislativi e ka marrë këtë vendim, pas propozimit të bërë komisioni vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale. Komisoni shtatë anëtarësh përbehet nga tre anëtar të ekzekutivit komunal, një prej tyre udhëheqës. Që të tre obligohen me ligj që  t’i japin llogari kryetarit të Komunës së Ferizajit.

    [arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=ahmNi6E-ZMM” /]

    Por, në reagim Svarqa e jep një version tjetër për kompetencat e komisionit.

    Së pari, Kuvendi i Komunës, fillimisht ka marrë vendim për shpalljen e parcelës tek tregu i gjelbër si parcelë e destinuar për rrënimin e banesave të vjetra dhe ndërtimin e banesave të reja, duke u bazuar në studimin e fizibilitetit, të bërë nga Komuna e Ferizajt, i cili thekson se ato banesa, nuk i plotësojnë as kushtet minimale për jetesë dhe madje, ekziston edhe rreziku i shembjes së tyre.

    “Pas marrjes së vendimit të kuvendit, kompetenca për vlerësimin e ofertuesve bie mbi komisionin për vlerësimin e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim. Ky komision është formuar nga kuvendi dhe i përgjigjet atij. Në këtë proces të konkurrimit ka aplikuar vetëm një ofertues dhe ai është Tahir Maloku, i përzgjedhur nga komisioni. Palët tjera kanë pasur mundësinë e ankimimit ndaj kësaj përzgjedhjeje, por nuk ka pasur asnjë ankesë. Nga këto që thamë, mund të përfundojmë se kryetari i Komunës as nuk ka të drejtë të përzihet në punën e komisionit vlerësues, as që është përzier, sepse ai komision është i pavarur në punën e tij dhe i përgjigjet Kuvendit të Komunës”, ka thënë Svarqa.

    Po ashtu, kryetari i Ferizajit ka pohuar se në këtë proces do të jetë në krah të banorëve.

    “ Edhe në takimet me banorët, por edhe në propozimet që kam bërë për Kuvendin e Komunës, kam theksuar se nuk do të marr asnjë veprim për komplekset banesore si në rastin konkret, por as në rastet tjera, pa miratimin paraprak të banorëve që jetojnë në ato banesa. Jam zotuar dhe kam obliguar edhe drejtoritë e Komunës se nuk guxojnë të ndërmarrin asnjë veprim pa qenë kontratat e noterizuara në mes të tri palëve në këtë proces, si: Komuna e Ferizajt, banorët e banesave, si dhe kompania përfituese”, ka pohuar Svarqa./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark