Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tha Radios Evropa e Lirë se nota verbale e Ambasadës Turke në Prishtinë “është e pazakontë dhe e papranueshme dhe njëkohësisht një mbireagim i saj”.
Ministri Hoxhaj tha se Kosova respekton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe e cilësoi shkrimin e gazetarit Berat Buzhala “me përmbajtje sarkastike dhe pa qëllime politike”.
“Ne do të kemi komunikime gjatë ditëve të ardhshme me Ambasadën turke. Unë kam arritur dje që të bisedoj me ambasadoren dhe qëndrimi ynë është se as Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as dikush tjetër nuk mund të ndërhyjnë në gjyqësor dhe në çështjet e gjyqësisë. Ne jemi vend demokratik”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se Kosova është “një shtet i ri i vogël që megjithatë ka nevojë që ta ruajë prestigjin, krenarinë dhe kredibilitetin ndërkombëtar, t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të saj po aq sa edhe t’i ruaj raportet e mira me vendet mike”.
Ministri Hoxhaj dha këto vlerësime pas kërkesës zyrtare të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ndëshkuar me burg një gazetar nga Kosova, Berat Buzhala, për shkak të komenteve të tij thumbuese të bëra në rrjetin social Facebook. /REL