Reagon përsëri KFOR-i: Kosova dhe Serbia t’u përmbahen marrëveshjeve ekzistuese – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Reagon përsëri KFOR-i: Kosova dhe Serbia t’u përmbahen marrëveshjeve ekzistuese

    Insajderi
    28 December 2022 - 18:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    KFOR-i u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i përmbahen marrëveshjeve ekzistuese. Nga KFOR-i është thënë se palët deri më tash gjithmonë i janë përmbajtur marrëveshjeve dhe u ka bërë thirrje që të vazhdojnë të bëjnë këtë.

    “Ne rikujtojmë se gjitha palët gjithmonë i janë përmbajtur marrëveshjeve ekzistuese, dhe i bëjmë thirrje të vazhdojnë të bëjnë këtë. KFOR-i mbetet shumë vigjilent dhe ka aftësi dhe personel për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për gjitha komunitetet sipas mandatit që i buron nga OKB-ja, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999. KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë vijës kufitare, ndërsa përkrah dialogun për të arritur një marrëveshje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatë të KFOR-it.

    Sa i përket raportimeve se forcat e armatosura të Serbisë disa ditë më parë ishin vendosur rreth 2 kilometra nga vija kufitare me Kosovën, KFOR-i ka thënë se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk duhet të marrin autorizim nga KFOR-i për të lëvizur brenda territorit të vetë.

    “Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, Forcat e Armatosura të Serbisë duhet të informojnë KFOR-in vetëm në rast se disa njësite të saj ofrohen rreth 1,000 metra nga kufiri”, thuhet nga KFOR-i.

    Ndërsa sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-i ka thënë se vendosja e tyre në veri, kërkon një bashkërendim paraprak me komandantin e KFOR-it.

    “Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre në veri të Kosovës, sipas marrëveshjeve paraprake, kërkon një bashkërendim paraprak me komandantin e KFOR-it. KFOR-i, duke iu përmbajtur mandatit që ka, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komuniteteve lokale në veri të Kosovës si pjesë të këtij procesi të bashkërendimit”, thuhet nga KFOR.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark