Reagon sërish Dedaj: Shkarkimi im më kujton vitet e 90-ta kur Serbia dëbonte nga puna shqiptarët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon sërish Dedaj: Shkarkimi im më kujton vitet e 90-ta kur Serbia dëbonte nga puna shqiptarët

    Insajderi
    22 September 2021 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka propozuar lirimin nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

    Pas kësaj, më 19 maj presidentja e vendit, Vjosa Osmani shkarkoi 12 ambasadorë, në mesin e tyre edhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedajn.

    Dedaj në intervistë për InDoks, shkarkimin e tij dhe 11 diplomatëve të tjerë po e cilëson si një atak ndaj diplomacisë kosovare.

    Sipas tij kjo është një tendencë për grusht-shtet.

    “…Megjithatë, shkarkimi i 12 ambasadorëve nga ana ime është vlerësu si një grusht-shtet si një atak në diplomacinë e Kosovës, në momentin kur e gjithë bota vuante nga pandemia globale, posaçërisht Kosova dhe rajoni, në momentin kur flitet se duhet me negociou me Serbinë – ti lenë 12 qendra kryesore pa përfaqësim shtetërore, institucional pa ambasadorë ka qenë ma shumë jo më pak se vetëm një grusht-shtet ose një tentim për grusht-shtet në Kosovë”, është shprehur ai.

    Ish-ambasadori shkarkimet i krahason me shkarkimit që ndodhën në vitin 1990 nga pushtuesi serb.

    “Ma ka rikujtu kohën e viteve 90’kur okupatori serb largonte shqiptarët nga puna, dhe këta me ardhjen në pushtet filluan duke i largu nga puna të gjithë që nuk janë dmth militantë të VV-së mos të flasim për Listën Guxo se ajo në fakt nuk ekziston, vetëm në letër nuk ka struktura – vetëm është keqpërdorë për me mujt me ardhë vetëm deri tek pozita e presidentes”, ka thënë Dedaj.

    Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla kishte thënë se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik derisa theksoi se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.

    “Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo derisa sot jemi edhe 8 ditë në përfundim të muajit shtator dhe ende nuk ka emërim të ambasadorëve të rinj.

    Siç ka mësuar Insajderi tanimë pesë emra, të ambasadorëve politikë kanë shkuar në zyrën e presidentes. Bëhet fjalë për Ilir Kapitin, i cili pritet të emërohet ambasador në Angli, Martin Berishajn në Kroaci, Mehdi Halimi në Francë, Dren Doli në Holandë dhe Xhabir Hamiti në Emiratet e Bashkuara./Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark