Real Madridi po përballet me probleme financiare dhe si rezultat i kësaj, mund të shesë lojtarë të rëndësishëm në verën e ardhshme.
Për këtë siguron mediumi spanjoll “Sport”.
E përditshmja spanjolle “Sport” raporton se Real Madridi po përballet me probleme financiare dhe si rezultat mund të shesë lojtarë të rëndësishëm në verën e ardhshme.
Me këtë rast, presidenti Florentino Perez po e konsideron një lëvizje të tillë për ta ndihmuar daljen nga humbjet financiare, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm, përfshirë këtu ndalimin e mbajtjes së eventeve në stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe investimin e konsiderueshëm në Kylian Mbappen, plus të disa vazhdimeve të kontratave të lojtarëve kryesorë të ekipit.
Njëri prej faktorëve kryesorë që kontribuuan në tendosjen aktuale financiare të klubit janë çështjet ligjore që lidhen me anulimin e koncerteve dhe ngjarjeve të ndryshme në stadiumin “Bernabeu”.
Këto ngjarje e kanë detyruar klubin që t’i anulojë disa koncerte dhe ngjarje të tjera që gjenerojnë të ardhura nga eventet në stadium të paktën deri në prill të vitit 2025.
Edhe pse stadiumi i renovuar “Bernabeu” sjell ende të ardhura ditore, kjo nuk siguron fonde që do t’i mbulonin shpenzimet e mëdha të klubit.
Mbappe bëhet problem i Real Madridit
Përpos ndalimit të ngjarjeve në stadium, Reali e bëri një shpenzim masiv financiar për ta transferuar Mbappen.
Edhe pse pritën derisa ta merrnin “Gratis” nga Paris Saint-Germaini, ata janë të detyruar të paguajnë bonuse domethënëse dhe një rrogë të majme për lojtarin, një investim gjigant ky për “Merengues”.
Gjithashtu, Reali i ka vazhduar kontratat me lojtarët e rëndësishëm si Dani Carvajal dhe Federico Valverde, duke u siguruar që të mbesin në ekip më gjatë, por që ndërkohë e kanë shtuar barrën financiare në klub.
Gjashtë lojtarë në listën e transfereve
Për ta zbutur këtë presion financiar, Real Madridi mund të dëgjojë oferta për disa prej lojtarëve të rëndësishëm në afatin kalimtar të verës së ardhshme.
Lojtarët që mund të përfundojnë në “treg” i përfshijnë: Andriy Lunin, Antonio Rudiger, Vinicius Jr., Eduardo Camavinga dhe Rodrygo, lojtarë këta kyç në ekipin aktual të trajnerit Carlo Ancelotti.
Gjithashtu, me më së shumti gjasa për t’u shitur është Aurelien Tchouameni, me madrilenët që shpresojnë të fitojnë sa më shumë para nga shitja e tij, për ta zbutur sadopak krizën, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo “tronditje” mund të ketë ndikim edhe në paraqitjet e “Los Blancos” në fushën e blertë, ndërsa shitja e lojtarëve që aktualisht janë pjesë integrale e planeve të Ancelottit mund ta zhbalancojnë po ashtu ekipin.
Megjithatë, duke i pasur parasysh kufizimet financiare, Perez dhe menaxhmenti i klubit mund ta shohin këtë qasje të nevojshme për t’i stabilizuar financat e Realit dhe për ta siguruar një qëndrueshmëri afatgjate. /Gazeta Express/