Rebelët sirianë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, morën kontrollin e qytetit Tabka nga grupi militant Shteti Islamik. Rënia e Tabkas u hap rrugën atyre për të sulmuar qytetin Raka, të cilin militantët e kanë vetëshpallur kryeqytet të tyre.
Rebelët kanë luftuar për kontrollin e Tabkas me javë të tëra dhe së voni janë furnizuar me armë më të rënda nga SHBA-ja. Nasser Haj Mansour, këshilltar i rebelëve, tha se qyteti Tabka dhe një digë e rëndësishme atje “janë çliruar plotësisht”.
Në muajin mars, Kombet e Bashkuara patën paralajmëruar përmbytje katastrofike në Siri nëse diga Tabka do të sulmohej. Lufta civile në Siri ka hyrë në vitin e gjashtë. Mbi 320,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.