
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, nën dyshimin se ka kryer vjedhje të gjësendeve me vlerë mbi 100 mijë euro.
Gazeta Insajderi mëson se bëhet fjalë për Berat Bulliqin, i cili sipas aktakuzës, më 21 prill 2025 ka depërtuar në një shtëpi në Pejë dhe ka vjedhur ari në vlerë rreth 30 mijë euro, orë të markave të ndryshme në vlerë rreth 87 mijë euro, si dhe rreth 7 mijë euro para të gatshme.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lart. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se Bulliqi është recidivist i veprave penale, ndërsa dy vëllezërit e tij aktualisht ndodhen në burg për disa vepra penale dhe po gjykohen për një rast të vrasjes së rëndë në tentativë.