Marrëveshja mes opozitës dhe pozitës në Shqipëri për reformën në drejtësi e arritur gjatë pasdites të së mërkurës është prishur në mbrëmje.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, lajmëroi me një reagim të minutave të fundit duke denoncuar shkeljen e marrëveshjes për reformën nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, zoti Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme”, thuhej në një deklaratë.
Ambasada amerikane vlerëson se, “ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”.
“Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE. Nëse zoti Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të Parlamentit që individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”, thuhet më tej në deklaratë.
Pas deklaratës së Ambasadës, Partia Demokratike ka reaguar me anë të një deklarate ku thotë se bllokimi i ndodhur në orët e fundit nuk vjen prej saj.
“Partia Demokratike rikonfirmon se negociatoret Bylykbashi, Agaci dhe Manjani të hënën mbrëma kanë rënë dakord që formula e propozimit hibrid për institucionet e vetingut do të përdoret edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë Prokurorial.
Kjo është një formulë në përputhje me rekomandimin e Venecias e aprovuar si e tillë nga komuniteti ndërkombëtar dhe së fundmi edhe nga Partia Socialiste dhe ditën e sotme edhe nga Edi Rama”, thotë PD.
Më tej në deklaratë thuhet se, “hapi mbrapa i përfaqësuesve të PS në Komision, kërkesa për t’u kthyer në formulën e votës së vetme të transferueshme të refuzuar publikisht nga Partia Demokratike, dhe refuzimi për të zbatuar marrëveshjen është një zhvillim dramatik”.