
Fluksi i refugjatëve sa vjen dhe i afrohet Shqipërisë. Të nisur Porti i Pireut, një grup prej 160 personash, kryesisht familjarë e fëmijë, tashmë janë vendosur në Konicë të Janinës, 12 km larg kufirit me Shqipërinë nga pikëkalimi i “Tre Urave”.
Vendasit në fshatin Konicë të Janinës kanë mirëpritur kështu 3 autobusët e parë, në atë që duket se është e para zhvendosje e refugjatëve pranë kufirit me Shqipërinë, ndryshe nga lëvizja e mëparshme për në kampin e Idomenit, në kufirin greko-maqedonas, njofton Top Channel.
Autobusët me refugjatët sirianë kanë mbërritur rreth orës 19 të pasdites së të premtes, ndërsa në Konicë janë mirëpritur e janë përshëndetur nga kryetari i Komunës, nga udhëheqës të tjerë lokalë, por edhe nga përfaqësues të Kryqit të Kuq. Banorët e zonës thuhet se janë përgjigjur menjëherë me ndihma me çfarë të mundeshin, përfshi këtu ushqime e veshmbathje, teksa refugjatët janë transferuar drejt qendrës komunitare të pritjes, ku do të verifikohen të dhënat e tyre./Insajderi.com