
Fluksi i refugjatëve sa vjen dhe i afrohet Shqipërisë. Siç raportojnë mediat në Shqipëri, refugjatët e nisur nga Porti i Pireut, saktësisht një grup prej 150 personash, kryesisht familjarë e fëmijë, tashmë janë vendosur në Konicë të Janinës, 12 km larg kufirit me Shqipërinë nga pikëkalimi i “Tre Urave”.
Vendasit në fshatin Konicë të Janinës kanë mirëpritur kështu 3 autobusët e parë, në atë që duket se është e para zhvendosje e refugjatëve pranë kufirit me Shqipërinë, ndryshe nga lëvizja e mëparshme për në kampin e Idomenit, në kufirin greko-maqedonas.
Autobusët me refugjatët sirianë kanë mbërritur rreth orës 19 të pasdites së të premtes.
Ndërkohë të paktën 3 mijë refugjatë të tjerë presin në Portin e Pireut për t’u zhvendosur, ende nuk dihet nëse Shqipëria ka marrë ndonjë masë të përforcuar në pikëkalimin kufitar të “Tre Urave” në Leskovik, nga ku refugjatët sirianë mund të hyjnë për në Shqipëri, për të tentuar më tej kalimin drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Veriore.