Visar Duriqi | Vranina Kelmendi
Pvarësisht se Kosova është në gjendje të vështirë sa i përket sektorit të shëndetësisë, fushës sociale e ekonomike për shkak të pandemisë Covid-19, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po gjen kohë të jetësojë synimet e tij për të qenë një lider kombëtar.
Nuk i mjaftoi fitorja mbi 50% në Kosovë, ai po bën fushatë edhe në Shqipëri, për të qenë ndikues në politikëbërjen atje. Beteja më e madhe po del të jetë rrëzimi i kryeministrit aktual, Edi Rama.
InDoks, në episodin e publikuar të shtunën “Çka po lyp Albin Kurti në Shqipëri”, ka shtjelluar tentimin e shtrirjes së pushtetit së Vetëvendosjes matanë kufirit.
Kryeministri Edi Rama, pretendon që të marrë edhe një mandat. Sondazhet nuk e nxjerrin deri tani keq në garë, përballë një PD-je të udhëhequr nga Lulëzim Basha që as për së afërmi nuk e ka imazhin e Sali Berishës, e përballë LSI-së, drejtuesi faktik i së cilës tashmë është i hendikepuar që ta drejtojë duke qenë President.
Në këtë betejë elefantësh në territorin shqiptar, ku pa diskutim Rama duket të jetë elefanti më i madhe e Basha me tendenca për t’i bërë karrshillëk, Albin Kurti nga Kosova ka vendosur që të iu pështillet nëpër këmbë.
Me nja 3 kandidatë për deputetë; Iliaz Shehi, në qarkun e Lezhës, Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës dhe Boiken Abazi në qarkun e Tiranës janë kandidatët e LVV-së për deputetë.
Sa janë gjasat reale që Vetëvendosje me degën e saj në Shqipëri të marrë hise në Kuvendin Shqiptar?
Vizita e ministrave dhe deputetëve të qeverisë Kurti në Shqipëri, para një jave kishte irrituar shumë qytetarët e Kosovës. Madje ishte cilësuar ndërhyrje direkte e Kurtit në Shqipëri.
Por për gjithë këtë zhurmë, Profesori i Universitetin Evropian të Tiranës (UET), Ervis Iljazaj, ka thënë se është fenomen që po ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe këso reagimesh do të kishte po që ndonjë parti e Shqipërisë të kishte bërë në Kosovë. Madje potencon se këta emrat e kandidatëve për deputetë nuk njihen shumë në Shqipëri.
“Kjo zhurma për kandidatet e Vetëvendosjes është krijuar vetëm për faktin që është një fenomen për here të parë që ndodh në Shqipëri, që një parti e Kosovës paraqet kandidatë e saj, e njëjtja zhurmë do të krijohet nëse ndodh anasjelltas. Ka krijuar zhurmë, po sa i përket zhurmës elektorale e thash edhe një herë një pjesë e mirë e Shqipërisë as që i dijinë emrat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Iljazaj.
Kurse analisti shqiptar, Ilir Yeziri shton se gjasat që këtë kandidatë për deputetë të fitojnë të paktën një mandat janë 0.0001%.
“Nuk është hera e parë që Shqipëria provohet më këto lëvizje, kemi pasur edhe lëvizje të tjera. Ato kanë pasur mundësi të fitojnë 0.000% kurse kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje që ka vendosur zoti Kurti nuk besoj që arrijnë as 0.0001%”, ka thënë Yzeiri
Analisti, Imer Mushkolaj ka thënë pjesëmarrja në zgjedhjet e Shqipërisë nga VV-ja është më shumë që të paraqitet Albin Kurti si lider gjithë shqiptarë, se sa një fitore e mundshme të ndonjë mandati.
“Pjesëmarrjen në Shqipëri, Kurti e ka me logjikë me idenë e një lideri gjithëshqiptarë se sa vetë që beson që kandidatët e tij do ta fitojnë pozitën e deputetit”, ka thënë Mushkolaj.
Zgjim Hyseni nga PSD-ja ka thënë për InDoks se po bëhet një rivalitet se kush është lider kombëtar.
“Ky rivalitet është rivalitet për titullin e një lideri kufijve në këtë drejtim sfondin ideologjik i Kurtit që e ka të pashkëputshëm edhe rolin historik”, ka thënë Hyseni
Kurse, Ilir Yeziri, analist në Shqipëri në një intervistë për InDoks, ka cilësuar Albin Kurtin si imbecil të politikës. Këtë ndërhyrje Yeziri e ka cilësuar si jetësim i ëndrrës se Kurtit për të qenë një lider gjithëpërfshirës.
“Kjo është ideja e tij ‘underground’, është si një imbecil politik dhe një delirantë nuk shikon realitetin ku jeton po përfill realiteti e sëmure që ka ndërtu në kokë duke thënë se ti Albin do të shpëtosh shqiptarët apo ku di une me retorikën që ai e di vetë duke kaluar planin e bashkimit kombëtar”, ka thënë Yeziri.
Ai ka shtuar se nuk ka gjasa që asnjëri nga deputetët e tij të fitojë për shkak të ligjit elektoral dhe nuk do të ketë Vetëvendosja impakt në krijim e qeverisë në Shqipëri.
“Mendon se do të depërtoj në qeverinë shqiptarë dhe të bëhet faktor për krijim e qeverisë që nuk ndodhë as në 200 vjetë. Është sikur Don Kishoti i Manqos që nesër merr një kështjellë e tjetër nesër pastaj e del gjumi që i ka hipur kali mbrapshtë”, ka shtuar Yeziri.
Ervis Iljazaj, ligjërues në Universitetin Evropian të Tiranës, ka thënë se Vetëvendosjes i ka mbetur vetëm fabula e bashkimit kombëtarë, e cila i ka mbetur vetëm si mbijetesë politike, duke fituar në krahë të saj.
“Ideja e bashkimit kombëtar i duhet për mbijetesë polittike, këtë ide të bashkimit kombëtar me mënyra të ndryshme duke folur për çështje kombëtare është kali i tij i betejës, ne qoftëse ja heqim mbetet pak politikisht me këtë ide ka ardhur ku ka ardhur sot”, ka thënë Iljazaj.
Iljazaj, ka shtuar se duhet të mendojmë si dy shtete të ndara dhe Kurti duhet të merret me njohën e shtetësinë e Kosovës të punojë për të.
“Duhet të kujtojmë se pavarësisht se jemi një komb ne për momentin jemi dy shtete të ndara dhe që një kryeminsiter të marrë pjesë të jetë aktiv në fushatën elektorale të një shteti tjeter kjo quhet në ndërhyrje në punët e brendshëm”, ka shtuar ai.
Derisa, Albin Kurti po merret me fushatën në Shqipëri në Republikën që ai e drejton tash janë mbi 100 mijë qytetarë që janë prekur nga Coronavirusi i ri. Mbi dy mijë prej tyre kanë vdekur. E deri tash vendi ka pranuar veç pak më shumë se 20 mijë vaksina. Ekonomia vlerësohet që është duke shkuar drejt kolapsit.
Por, ai në gjendjen e mjerueshme që ka Kosova për interesa thuajse krejtësisht politike refuzon vaksinat kineze, donacion nga Shqipëria, nën pretekstin që Kina nuk e ka njohur Kosovën. Por si duket del të jetë shkak rivaliteti dhe gara që po zhvillojnë atje me tre kandidatë për deputet kundër Edi Ramës. Po ashtu edhe vartësi i tij Arben Vitija nuk ka nënshkruar dokumentin, që paraardhësi i tij, Armend Zemaj kishte negociuar blerjen e vaksinave nga kompania Pfizer dhe BioNtech, që rëndon situatën e shëndetësisë edhe më shumë.
Aktualisht Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19 të siguruara përmes mekanizmave Covax të cilat në Kosovë kanë arritur përmes organizatës UNICEF.
Afërsisht janë bërë 3 javë prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë, e me 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca që kanë qenë në dispozicion deri më tani janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona, e që për qeverinë aktuale kosovare, vazhdon të mbetet, ligji i konfiskimit të pasurisë dhe kapja e një pushteti të dytë jashtë kufijevee të Kosovës./Insajderi-InDoks/