
Artisti kosovar Petrit Halilaj është tërhequr nga Bienalja e Beogradit pasi organizatorët e ekspozitës refuzuan ta njohin shtetësinë e tij.
Halilaj është nga fshati Runik i Kosovës ndërkaq bienalja organizohet nga Qendra Kulturore e Beogradit në Serbi.
Artisti është tërhequr nga ekspozita pasi organizatorët refuzuan ta prezantonin atë si artist nga Kosova.
Të martën, Halilaj ka shkruar një letër publike, përmes së cilës rrëfen përvojën e tij në Bienalen e Beogradit, e cila zyrtarisht quhet “Salloni i 58 Tetorit”.
34-vjeçari, projektet artistike të së cilit jo rrallë herë kanë pasur fokus luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-99, në letrën e tij rrëfen pikërisht këtë periudhë kohore. Kujton represionin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kur e pranova ftesën për të qenë pjesëmarrës në Bienalen e Beogradit isha i konfliktuar së brendshmi, por gjithashtu e pashë këtë si një mundësi për të krijuar një urë, për të hapur një dialog dhe për të eksploruar rrugë të reja të pajtimit përmes artit”, shkruan Halilaj në letrën e tij.
Në Bienalen e Beogradit, Halilaj kishte planifikuar të shfaqte një video të emëruar “Shkreptima”, e cila rezulton nga një performancë artistike që ai realizoi vitin e kaluar brenda rrënojave të Shtëpisë së Kulturës së fshatit Runik, e cila ishte shkatërruar gjatë luftës së fundit.
Organizatorët e Bienales së Beogradit fillimisht injoruan Kosovën në një dokument të lëshuar në maj. Pasi Halilaj kërkoi të shtohej Kosova si vend i tij i origjinës, organizatorët e prezantuan atë me një yll në fund, për të cilin Halilaj thotë se “ripërsërit refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën shtet të pavarur”.
“Por ylli në emrin e Kosovës përmban implikime të forta politike. Fusnota është rezultat i një marrëveshje të vitit 2012 e cila i lejon Kosovës të përfaqësojë institucionet e saj pa prezantimin e Misionit të OKB-së (deri atëherë, Kosova ishte shkruar si Kosovë-UNMIK)”, shkruan Halilaj.
Pas insistimit të tij, Bienalja e Beogradit përfundoi duke hequr prezantimin e artistëve sipas vendeve të origjinës si rregull të ekspozitës.
Por artisti kosovar u tërhoq, siç thotë ai, nga frika se puna e tij e cila ka në fokus gjendjen e shoqërisë multietnike të Kosovës mund “të keqkomunikohej dhe keqinterpretohej, apo edhe të instrumentalizohej politikisht.”
Pa pjesëmarrjen e Halilajt, Bienalja planifikohet të hapet më 16 tetor.
Siç vuri në pah edhe Petrit Halilaj në letrën e tij, kjo organizatë artistike është ndikuar nga politika. Një zëdhënës i Qendrës Kulturore të Beogradit i ka thënë mediumit ndërkombëtar Artnet News, se ky institucion ishte i detyruar të ndiqte politikën e Serbisë kundrejt Kosovës.
“Siç edhe e dini, politika zyrtare e Republikës së Serbisë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, kështu që ne si institucion publik nuk mund ta shkruajmë ndryshe”, tha ky zëdhënës.
Ata nuk pranuan të sqarojnë se si do t’i trajtojnë artistët nga Kosova në të ardhmen.
Pas tërheqjes së Halilajt, organizatorët larguan të gjitha qytetet dhe vendet nga lista e artistëve pjesëmarrës, për të cilën artisti kosovar thotë se shpreson që do të jetë politika e Bienales për ekspozitat e ardhshme. /Insajderi.org