Presidenti rumun refuzon emërimin e një politikaneje myslimane si kryeministre. Social-demokratët kërcënojnë me proces shkarkimi nga posti.
Situata në Rumani është e koklavitur. Pas zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor, Partia Social-Demokrate PSD dhe ajo liberale ALDE kanë fituar shumicën e votave. Ekspertja 52-vjeçare e administratës Sevil Shhaideh, e cila i përket pakicës tartare në Rumani dhe praktikon besimin mysliman, është propozuar prej socialdemokratëve si kryeministre e vendit, njofton DW.
Por presidenti i vendit, Klaus Iohannis, e refuzon Sevil Shhaidehun si kryeministre të re, gjithësesi pa dhënë arsye “Unë kam peshuar me kujdes propozimin dhe kam ardhur në përfundimin që të mos e pranoj atë,” tha Klaus Iohannis në një deklaratë të shkurtër që lexoi para mediave në rezidencën e tij në Bukuresht. Në të njëjtën kohë ai u kërkoi PSD-së dhe partneres së saj të koalicionit, ALDE, që të emërojnë një person tjetër për postin më të lartë të qeverisë.
Shefi i dënuar i PSD-së
Shhaideh konsiderohet “bedele” për kreun e partisë PSD, Liviu Dragnea. Partitë e opozitës shprehën ditët e fundit frikën se Shhaidehu mund të veprojë si marionetë e Dragneas. Drejtuesi i partisë ishte dëshmitar në martesën e saj me biznesmenin Akram Shhaidehu në vitin 2011.
Sipas ligjit në fuqi Dragnea nuk mund të bëhet vetë kryeministër, sepse është i dënuar për manipulim të zgjedhjeve. Dragea po kalon tani në ofensivë dhe u shpreh në një reagim të parë se do të nisë një proces për shkarkimin e Iohannis nga posti i presidentit. “Ne na duket se ky njeri dëshiron me të vërtetë të shkaktojë një krizë në Rumani,” tha Dragnea pas konsultimeve me partinë partnere ALDE në Parlamentin e Bukureshtit. Social-demokratët kanë marrë “një ortek mesazhesh nga qytetarë të indinjuar” që kërkojnë shkarkimin e Presidentit, shtoi ai. PSD-ja do të vendosë deri të mërkurën në mbrëmje se si do të veprojë më tej, tha Dragnea. “Nëse pas analizës së zhvillimeve do të arrijmë në konkluzionin që procesi për shkarkimin e Presidentit do të jetë gjë e mirë për vendin, atëherë ne nuk do të ngurrojmë ta bëjmë këtë,” tha ai.
Betim mbi Kuran
Nëse refuzimi i Iohannisit lidhet me myslimanen Shhaideh ose me Dragnean është e paqartë. Duke propozuar Sevil Shhaidehun si kryeministre Dragnea nuk la asnjë lloj dyshimi se është ai që do të kontrollojë qeverinë. Në të njëjtën kohë mediat rumune supozojmë se PSD-ja do ta ndryshojë ligjin për papajtueshmërinë e posteve në rastin e personave të dënuar, për t’i hapur rrugën Dragneas për të ardhur në krye të qeverisë. Sevil Shhaidehu do të ishte gruaja dhe myslimania e parë në krye të qeverisë rumune. Rumania është kryesisht vend ortodoks.
Vitin 2015 ajo ka qenë për një vit e gjysmë ministre e Zhvillimit Rajonal. Asokohe ajo e bëri betimin mbi Kuran. Por irritime shkaktoi shumë më tepër fakti që i shoqi i saj me origjinë nga Siria, ishte shprehur në mediat sociale si një mbështetës i flaktë i diktatorit sirian Bashar al-Asad.
President pa mbështetje
Problemi i Iohannisit në këtë mosmarrëveshje është i qartë: pas triumfit të tij ndaj kryeministrit Viktor Ponta, i cili ishte i përfshirë në mjaft skandale dhe dha dorëheqjen në fund të vitit 2015, Iohannisi emëroi një kabinet ekspertësh. Po ky kabinet nën drejtimin e inxhinierit pa parti Dacian Ciolos, arriti të bëjë vetëm pak. Po ashtu partia liberale e Iohannisit PNL është dobësuar së fundi për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme. Ndërkohë që postkomunistët mundën t’i mobilizonin pasuesit e tyre besnikë sidomos në fshatra, përkrahësit e zhgënjyer të ndryshimi politik nuk shkuan të votonin.(DW)