
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë një tjetër refuzim në kërkesën për t’u kthyer në Kosovë për të vizituar babanë e tij të sëmurë. Familja e Thaçit ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke përmendur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Haxhi Thaçit, shkruan Insajderi.
Idriz Thaçi, vëlla i Hashim Thaçit, e ka cilësuar këtë veprim të Gjykatës Speciale si jonjerëzor dhe politik.
Ai tha se gjendja shëndetësore e babait të tij ka degraduar sërish dhe ai vazhdimisht po kërkon që të bisedojë dhe të takohet me Hashimin.
“Në këto kushte, refuzimi për t’i lejuar vizitën është një akt i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk ka asnjë procedurë që ta pengojë një vizitë të tillë. Ky vendim është thjesht politik”, ka thënë Idriz Thaçi për Dukagjinin.
Përmes një deklarate, Gjykata Speciale ka njoftuar se kërkesa e Hashim Thaçit për të vizituar babanë e tij është refuzuar për herë të dytë, duke thënë se ka mundësi alternative për Thaçin që të kontaktojë me babain e tij, duke mos sqaruar se çfarë mundësish janë këto.
“Trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e z.Thaci për këtë vizitë sepse situata e babit të z.Thaçi nuk ka ndryshuar dhe për këtë arsye nuk janë krijuar kushte për të lejuar vizitën në mbikëqyrje”, ka thënë zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle.