Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ka ringritur aktakuzën ndaj Drejtoreshës së Shpejtim Bulliqit, Saranda Stublla-Ukës me arsyen se në “vazhdimësi me dashje nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Komunale në Podujevë”.
Gazeta Insajderi kishte raportuar në shkurt të 2024’tës, për aktakuzën ndaj drejtoreshës Saranda Stublla Uka.
Drejtoreshës për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër, në Komunën e Podujevës, Saranda Stublla-Uka me datë 3 janar 2024 i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës Saranda Stublla Uka në “vazhdimësi me dashje nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Komunale në Podujevë”.
Pas kësaj, e njëjta kishte bërë ankesë, lidhur me këtë aktakuzë.
Mirëpo, sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, Gjykata e Apelit, ia ka refuzuar ankesën, duke e cilësuar si të pabazuar.
Që do të thotë se aktakuza ndaj drejtoreshes për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër, në Komunën e Podujevës, Saranda Stublla, mbetet në fuqi.
Ndërsa ankesa e Saranda Stublla, ka rënë.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të pandehurës Saranda Stublla Uka, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega Podujevë, P.nr.603/23 i datës 28.03.2024″, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Në raportimin e Insajderit, gjatë vitit 2024, rastin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj se drejtoreshës në fjalë i është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.
Tutje ajo theksoi se aktakuza është dërguar për trajtim të mëtejmë në gjykatën kompetente.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër S.S.-U., për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit aktakuzën e ka deleguar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë.