Në ditën e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës do të jenë të hapura rreth 940 Qendra Votimi. Kështu ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në takimin që mbajti sot. Ndërkohë, 38 prej tyre do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht, në secilën komunë nga një.
Ndërkohë, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor janë pranuar 1,524 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit nëpërmjet platformës e në zyrat e Komisioneve Komunale prej të cilave janë aprovuar 1,482 derisa 42 të tjera janë refuzuar.
Gjithashtu po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor
Sipas të dhënave të bëra publike në këtë mbledhje deri më 7 nëntor janë pranuar rreth 14,030 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 13,033, ndërsa 988 të tjera janë refuzuar.
Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Po ashtu, KQZ-ja vendosi për regjistrimin e partisë politike Bashkimi Demokratik me akronim BD, i cili aplikacion ishte dorëzuar më 18 tetor, derisa udhëheqës i saj është Ajvaz Berisha.