
Ish zëvendëskryeministri i Kosovës dhe aktualisht deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka shënuar rekord personal në hapjen e “fronteve” të reja këtë javë, ku ka polemizuar dhe kërcënuar gjashtë persona publik, shkruan Gazeta Insajderi.
Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, fillimisht akuzoi deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe atë të AAK-së, Time Kadriaj, për “sabotazh”, duke justifikuar vonesën e emërimit të ambasadorëve e cila ka shkaktuar një krizë diplomatike, me Kosovën që ka mbetur pa përfaqësim në shumë qendra botërore.
“Arjana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve” – ishte akuza e parë e një javë të gjatë të Abazit.
Pas deputeteve të opozitës, radha ishte e analistëve politikë, me Abazin i cili u largua në mënyrë demostrative nga studio e Kanal10, teksa po debatohej rreth mos dhënies së përgjigjes nga ana e qeverisë lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, për energjinë e ripërtërishme.
“Jo more nuk është debat ky, banale… çfarë banale” – ishin fjalët e tij teksa u largua nga emisioni, e që pastaj përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, shkroi se u largua nga aty “për të mos qenë as pranues e as kontribues i nivelit të ulët të debatit, gjuhës vullgare dhe ofenduese dhe tendencës që nëpermjet zhurmës të pamundësohet biseda konstruktive”.
Këtë mënyrë të largimit të Abazit nga studio, Halil Matoshi e ka krahasuar me mënyrën se si sillet Vetëvendosja karshi gazetarëve.
“Ikja e Haki Abazit nga studio e dëshmoi sjelljen e VV-së ndaj gazetarëve” – ishte komenti i Halil Matoshit.
Vetëm katër ditë nga ky incident, Haki Abazi u përfshi edhe në një tjetër incident me gazetarë, ku përmes telefonit kërcënoi mediumin Albanian Post, se nëse vazhdohet të raportohet për të, ai do të ndërmarrë masa të ashpra.
“Unë po të tregoj, thuaj Baton Haxhiut mos ma qitë të keqen prej barkut. Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë” – ishte kërcënimi i tij për Haxhiun, duke lënë të nënkuptohej se kishte të bënte me largimin e tij nga mediumi Klan në kohën kur Abazi ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 1.
Pas reagimit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për gjuhën kërcënuese ndaj Albanian Post dhe Baton Haxhiu, Abazi ktheu shigjetat në drejtim të gazetarit Xhemajl Rexha, i cili është kryetar i AGK-së, si dhe nuk kurseu ofendimet për Baton Haxhiun të cilin e cilësoi si sekser dhe shantazhues.
“Batoni nuk është gazetar, është shantazhues, sekser, njeri që orkestron raste e përfiton duke dëmtuar imazhin e njerëzve duke manipuluar opinion publik dhe duke krijuar lajme të rrejshme e besa edhe duke ushtruar trysni ndaj individëve që të bëjnë dëshmi të rrejshme. Nje vendim të njejtë nga KPM kam edhe për Xhemajl Rexhën dhe sjelljen e tij jogazetareske dhe joprofesionale, kjo shpjegon nivelin për keqardhje dhe katandisjen e tyre dhe mungesën e forcës profesionale për t’i bërë ballë tundimit për “gabimin” e radhës. – shkroi ai.
Abazi vazhdoi gjuhën linçuese ndaj Baton Haxhiut dhe Xhemajl Rexhës, duke i cilësuar si “formacion sekserësh që po vazhdojnë të kamuflohen në petkun e gazetarit”.
Padyshim një javë shumë produktive në zejën e nisjes së konflikteve nga ish zëvendëskryeministri i Kosovës, i cili për pak vota ia doli që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku subjekti të cilit ai i takon fitoi mbi 50% të votave. /Insajderi.org/