Manchester United ka pësuar humbje me rezultat të thellë 4-0 sot (e hënë) në udhëtim ndaj Crystal Palace në kuadër të xhiros së 36-të në elitën e futbollit anglez.
Kjo humbje tani e ka vendosur Unitedin në pozitën e tetë në tabelën e klasifikimit me 54 pikë të grumbulluara teksa kanë mbetur edhe tri ndeshje para përfundimit të kampionatit.
Në një edicion që ka pasur luhatje të mëdha për ‘Djajtë e Kuq’ ata kanë mundësinë që potencialisht ta mbyllin atë me një trofe nëse fitojnë në finale të FA Cup ndaj Manchester Cityt.
Kjo finale do të luhet në ‘Wembley’ të Londrës më datë 25 maj me fillim nga ora 16:00.
Sidoqoftë, humbja turpëruese që Unitedi e pësoi ndaj Crystal Palace shënoi thyerjen e një rekordi të zi për klubin anglez.
Kjo ishte humbja e 13-të e Manchester United në një edicion të vetëm të Ligës Premier që është shifër rekord e humbjeve në histori të klubit.
Ky rezultat negativ si dhe paraqitjet e përgjithshme të cilat kanë qenë mjaft zhgënjyese nga ‘Djajtë e Kuq’, me shumë gjasa do ta detyrojnë bordin e klubit që t’i nënshtrohen një rinovimi të madh të skuadrës, ku pritet të ketë largime të mëdha dhe prurje të reja.