Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Rrustem Mustafa tha se “është e domosdoshme” që të rihapet për qarkullim ura e Ibrit në Mitrovicë.
Pengesat mbi urë, Komandant Remi tha se duhet të hiqen “së bashku me çmontimin e mbetjeve të propagandës së shërbimit serb”, ndërsa bën thirrje për “vigjilencë, liri dhe siguri” për të gjithë qytetarët.
“Ura që bashkon dy brigjet e Ibrit-Mitovicën. Në çdo cep të globit, ura simbolizon unitet dhe jo ndarje. Narrativa serbe se ura e Ibrit paraqet një kërcënim për sigurinë e popullsisë lokale serbe në veriun e Kosovës është bërë e pavlefshme. Sot, serbët në veri të vendit, së bashku me të gjitha komunitetet e tjera, janë dhe ndihen të sigurt”, shkroi fillimisht Mustafa në një postim në Facebook.
Sipas tij, “është e qartë se kufizimet e mëparshme mbi lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në këtë rajon ishin orkestruar nga shërbimet serbe”.
“Fatkeqësisht, kjo propagandë, qoftë qëllimisht apo pa dashje, gjeti njëfarë besueshmërie brenda komunitetit ndërkombëtar”, shkroi ai.
Tash, ai thotë se ka ardhur koha që të hiqen të gjitha pengesat nga ura e Ibrit.
“Ndërsa të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht prejardhjes etnike, tani gëzojnë liri dhe siguri të plotë në veri, është e domosdoshme që të heqim të gjitha pengesat fizike nga ura e Ibrit, së bashku me çmontimin e mbetjeve të propagandës së shërbimit serb. Bëjmë thirrje për vigjilencë, liri dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin tonë. Ka ardhur koha që ura të përmbushë qëllimin e saj të vërtetë: të simbolizojë dhe lehtësojë unitetin fizik dhe social”, shkroi Remi.