Renault Trezor është emëruar makina me konceptin e dizajnit më të mirë për vitin e kaluar nga Car Design News, duke kaluar konkurrentët sikurse Jaguar dhe Mercedes.
Renault zbuloi për të parën herë modelin Trezor, veturën elektrike sportive me dy dyer, në shtator të vitit të kaluar gjatë shfaqjes Paris Motor Show.
Makina është votuar për konceptin më të mirë të dizajnit nga një juri prej 20 vetave ku përfshihen ekspertë të dizajnit nga shumë prodhues të ndryshëm, njofton Telegrafi.
Në vend të dytë pas Trezor qëndron Jaguar I-PACE ndërsa vendi i tretë i është rezervuar Mercedes Maybach 6.
Renault Trezor i cili konsiderohet si mishërimi i stilit dhe teknologjisë të së ardhmes së veturave franceze është i fuqizuar nga motori elektrik me 345bhp, që i mundëson makinës të shkojë nga 0 në 60mph për më pak se 4 sekonda.
Zëvendës presidenti për dizajn në Renault, Laurens van den Acker ka thënë se “është nder për ne që kemi pranuar këtë çmim, pasi që votimi është bërë nga kolegët tanë, dhe këta janë grupi më i vështirë i audiencës prej të cilëve mund të mirret pëlqimi.”
Ndërsa, Zgjim Mita, drejtor ekzekutiv në AutoMita, kompaninë e cila e përfaqëson markën Renault për Kosovë ka thënë se “në emër të klientëve por edhe të kompanisë, ne jemi tejet të lumtur që e përfaqësojmë liderin evropian të dizajnit, inovacionit dhe cilësisë.
Renault Trezor nuk është model që prodhohet në masë, por gjithsesi se shfaq ambicien e kompanisë për të qenë lider në inovacion, të cilin më pas e sjell edhe në modelet standarde të veturave që ne i ofrojmë në treg”.
Për tu bindur edhe vetë pse Renault Trezor i ka marrë votat edhe prej rivalëve të saj direkt të industrisë, shihni disa nga pamjet e këtij modeli mëposhtë.