Në këtë “pikë kthese” ekzistojnë 3 rezultate të mundshme: një ripërtëritje dhe rishpikje e rendit tonë ekzistues liberal ndërkombëtar, shfaqje e një rendi joliberal të udhëhequr nga Kina, ose rimodelim i rendit botëror sipas modelit të presidentit Putin të “ligjit të xhunglës”. Në fund të këtij viti, dështimet dhe kostot e këtyre modeleve alternative janë më të qarta se kurrë më parë. Prandaj, është thelbësore në vitin e ardhshëm demokracitë të bashkohen në një kauzë të përbashkët për të diktuar të ardhmen globale përkrah jo demokracive të moderuara dhe moderne, të cilat kërkojnë një botë më të sigurt, më të begatë dhe më të drejtë
Shkruan: Frederick Kempe
Ky vit ka qenë i vështirë për liderët autoritarë më të këqij në botë: presidentin rus Vladimir Putin, presidentin kinez Xi Jinping dhe Udhëheqësin Suprem të Iranit Ali Khamenei. Secili prej tyre e përfundon këtë vit me plagë të vetëshkaktuara, pasojat lloj-lloj vendimesh të këqija të marra nga autokratët e verbuar nga mendjemadhësia.
Duke pasur parasysh këtë situatë, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj globalë duhet të dyfishojnë përpjekjet vitin e ardhshëm për të diktuar garën midis demokratëve dhe despotëve, e cila do të përcaktojnë edhe rendin e pas Luftës së Ftohtë. Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, është fokusuar vazhdimisht në këtë garë si një “pikë kthese” historike.
Viti i tij i tretë në detyrë, i ofron atij mundësinë më të mirë për të shënuar avantazhe të qëndrueshme në atë garë. Në fillim të këtij viti, duket se autokracia ishte në një marshim të pandalshëm.
Presidentët Putin dhe Xi hynë në fillim të shkurtit të këtij viti në një partneritet strategjik ”të pakufishëm”, vetëm pak ditë përpara Olimpiadës Dimërore të Pekinit. Ajo lëvizje u pasua nga pushtimi i Ukrainës nga ana e presidenti Vladimir Putin.
Por që atëherë, dhe në të tria rastet – Rusia, Kina dhe Irani – gabimet e udhëheqësve të pazgjedhur i kanë thelluar dobësitë themelore të vendeve të tyre, teksa ka sjellë vështirësi të reja që i sfidojnë zgjidhjet e lehta. Shembulli më dramatik është ai i presidentit Putin, lufta e pamatur, e paprovokuar dhe e paligjshme e të cilit në Ukrainë, ka shkaktuar vdekjen e 6.490 civilëve sipas vlerësimit më të fundit të OKB-së.
Po ashtu më shumë se 1 milion rusë janë larguar nga vendi i tyre. Gjykatat ndërkombëtare kanë prova të padiskutueshme dhe voluminoze të krimeve kundër njerëzimit. Përtej kësaj, Putin e ka kthyer ekonominë ruse më shumë se një dekadë prapa, dhe sanksionet sapo kanë filluar të japin efektet e tyre.
Ai nuk do ta rifitojë asnjëherë reputacionin e tij ndërkombëtar, dhe ushtria ruse e ka treguar veten – pavarësisht investimeve shumëvjeçare – si i trajnuar shumë dobët, e padisiplinuar dhe me mungesë morali. Gabimet e presidentit kinez Xi Jinping, janë deri më tani më pak të përgjakshme. Teprimet me politikën “Zero Covid”, shkaktuan protesta spontane në shkallë të gjerë, të cilat përbënin sfidën më serioze të dekadës së tij në udhëheqjen e vendit. Vetëm muajin e kaluar, Kongresi i XX-të Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze i dha Xi-së një mandat të tretë.
Por protestat që pasuan menjëherë pas këtij akti, e prishën atmosferë e pathyeshmërisë dhe mbështetjes së dukshme publike. “Xi është në një kurth të krijuar nga ai vetë, pa një rrugëdalje të shpejtë apo pa dhimbje. Rastet e reja me COVID-19, janë afër niveleve rekord. Sëmundja është përhapur në më shumë se 85 për qind të qyteteve të Kinës.
Më shumë mbyllje për ta rivendosur nën kontroll rastet, do të rritin më shumë kostot ekonomike, duke nxitur më tej zemërimin e publikut. Nëse lejohet që virusi të përhapet lirshëm do të vdesin qindra mijëra njerëz… Udhëheqësit e Kinës duket se po kërkojnë një rrugë të mesme. Por është e paqartë nëse ka një të tillë”, shkroi këtë javë “The Economist”.
Përtej COVID-19, është në rrezik kontrata e pashkruar sociale midis Partisë Komuniste Kineze prej vetëm 90 milionë anëtarësh, dhe popullsisë totale kineze prej 1.4 miliardë banorësh. Populli kinez pranon të ketë liri të kufizuara dhe besnikëri ndaj partisë, për sa kohë që partia ofron shpërblime ekonomike dhe siguri sociale. Por një seri politikash të gabuara, e kanë ngadalësuar rritjen e ekonomisë kineze në vetëm 3 për qind këtë vit.
Gjithsesi, presidenti Xi vazhdon t’i japë përparësi kontrollit partiak mbi liritë ekonomike. Edhe pse ndikimi global i protestave të Iranit është më pak i dukshëm, Lindja e Mesme dhe bota do të ishin shumë më mirë me një Iran më të moderuar dhe pluralist, që fokusohet te nevojat e tij publike, që tërhiqet nga aventurizmi i tij rajonal, dhe nga mania për të pasur armë bërthamore.
Edhe këtu problemet regjimi i ka krijuar vetë dhe protestat janë rezultat i brutalitetit të tepruar të regjimit dhe korrupsionit endemik. Atëherë, çfarë duhet bërë në vitin 2023 për t’i transformuar këto pengesa autoritare në një përparim më të qëndrueshëm të “botës së lirë”, duke ndihmuar në dhënien fund të tendencës globale 16-vjeçare të rënies së demokracisë, siç e theksoi edhe raporti i “Freedom House” për këtë vit?
Së pari, SHBA dhe partnerët e saj duhet të thellojnë dhe zgjerojnë mbështetjen e tyre ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Zyrtarët më të lartë të administratës Bajden, e kuptojnë se kjo është beteja përcaktuese e epokës sonë të pas Luftës së Ftohtë. Pa mbështetjen ushtarake dhe financiare amerikane, dhe pa mbajtjen të bashkuar të aleatëve, mund të mos mjaftonte i gjithë guximi dhe rezistenca e jashtëzakonshme e Kievit.
Thënë këtë, kujdesi i presidentit Bajden dhe frika e tij e deklaruar shpesh për fillimin e Luftës së Tretë Botërore, i kanë kufizuar llojet dhe sasitë e armatimeve që merr Ukraina, por edhe shpejtësinë me të cilën ato arrijnë në fushën e betejës. Dorëzimi më i shpejtë i sistemeve të mbrojtjes ajrore më të fuqishme dhe më cilësore, mund të kishte shpëtuar shumë jetë ukrainasish.
Mbetet e vështirë të kuptohen kufizimet e vazhdueshme të vendosura mbi aftësinë e Ukrainës për të goditur objektivat që goditen, ndërsa presidenti Putin godet në mënyrë vrastare më shumë objektiva dhe infrastrukturë civile.
Ndoshta rreziku më i madh, është ai i lodhjes perëndimore në mbështetjen e Ukrainës dhe rritjes së presionit të jashtëm ndaj Kievit për të negociuar, kur në fakt vetëm fitimet e mëtejshme në fushën e betejës do ta nxitin presidentin Putin të tërheqë trupat e tij dhe të bëjë lëshime që do të lejonin ekzistencën e një Ukraine të sigurt, sovrane dhe demokratike.
Edhe pse Rusia kërkon një veprim të menjëhershëm, menaxhimi i sfidës kineze kërkon një kurs më të durueshëm, një kurs që do të bëhet më i lehtë nëse presidenti Putin pëson një humbje strategjike në Ukrainë.
Presidenti Bajden kishte të drejtë që u takua me presidentin Xi në Bali në kuadër të samitit të G-20, për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Vitin e ardhshëm SHBA-ja duhet të forcojë përpjekjet e saj për bashkimin e aleatëve në Europë dhe Azi rreth një qasjeje të qëndrueshme, të orientuar nga konsensusi ndaj Kinës, që i njeh dobësitë themelore të Pekinit, dhe i pengon përpjekjet e tij për të marrë më forcë Tajvanin dhe për të ribërë rendin global.
Në këtë “pikë kthese” ekzistojnë 3 rezultate të mundshme: një ripërtëritje dhe rishpikje e rendit tonë ekzistues liberal ndërkombëtar, shfaqje e një rendi joliberal të udhëhequr nga Kina, ose rimodelim i rendit botëror sipas modelit të presidentit Putin të “ligjit të xhunglës”.
Në fund të këtij viti, dështimet dhe kostot e këtyre modeleve alternative janë më të qarta se kurrë më parë. Prandaj, është thelbësore në vitin e ardhshëm demokracitë të bashkohen në një kauzë të përbashkët për të diktuar të ardhmen globale përkrah jodemokracive të moderuara dhe moderne, të cilat kërkojnë një botë më të sigurt, më të begatë dhe më të drejtë.
(Frederick Kempe, drejtues i think-tankut “Atlantic Council”)