Deputeti i VV-së, Gazmend Gjyshinca, ka thënë se deklarata e deputetit të LDK-së, Arben Gashi për pretendime të rënies së Qeverisë Kurti 2 në vjeshtën e vonë është radikale, sepse sipas tij, përmes kësaj deklarate, është munduar që të tërheqë vëmendjen e shoqërisë nga vizita e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani në ShBA.
“Koalicioni qeverisës është stabil, grupi parlamentar është stabil, ligjet që kanë kaluar në javët e fundit, ligji për byronë e deri te ligji për fondet IPA 3 janë dëshmia më e fortë që ne po funksionojmë mirë”, ka thënë Gazmend Gjyshinca, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje(LVV) për deklaratat e Shefit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kishte thënë se Qeveria Kurti 2 pritet të rrëzohet në vjeshtën e vonë.
Gjyshinca në RTV Dukagjini, ka ironizuar deklaratën e deputetit Gashi, duke thënë se “Mos e ka pasur fjalën për vjeshtën e vonë të vitit 2025?”
Ndër të tjera, ai ka thënë se deputeti Gashi i takon shkollës së vjetër politike të Isa Mustafës, i cili sipas tij, nuk bën ndonjë veprim politik pa e matur mirë.
Ai ka thënë se kjo deklaratë është radikale, sepse është munduar që të tërheqë vëmendjen e shoqërisë nga vizita e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani në ShBA.
Po ashtu, kjo deklaratë sipas tij, ka të bëjë me dinamikat e brendshme të LDK-së, sepse siç thotë ai, pritet që LDK të shkojë në zgjedhje në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ndërsa, për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe MCC-së ka thënë se kjo marrëveshje i mundëson Kosovës një tranzicion të lehtë të energjisë dhe konsiderohet gurthemel i këtij tranzicioni.
Gjyshinca: Nuk duhet të minimizohet rëndësia e takimeve të Kurtit në ShBA
Ndërsa, për takimin e Kurtit dhe presidentes Osmani me sekretarin Blinken, ka thënë është takim normal, sepse sipas tij, nuk duhet minimizuar rëndësia e takimeve të mëhershme të kryeministrit Kurti.
“Një takim normal në vazhdën e takimeve të tjera, për ne si subjekt politik është takim normal, e kemi pasur Kurtin në ShBA ka pasur takim me këshilltarin për siguri”, ka thënë Gjyshinca.
Ai ka thënë se, ky takim i Kurtit ka qenë një përgjigje ndaj kundërshtarëve, sepse sipas tij, po perceptohet një situatë e paqenë me ShBA-në.
Po ashtu, Gjyshinca ka theksuar se LVV është në koordinim të plotë me ShBA-në për dialogun Kosovë-Serbi.
“Të gjithë ne jemi kalimtarë, e përhershme është Republika e Kosovës, raporti jonë me ShBA është i përhershëm dhe special”, ka deklaruar ai.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se synohet që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila është paraprirë së pari nga tri marrëveshje, si çështja e targave, e energjisë dhe e të pagjeturve.
“Qëllimi ynë është që të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i rregullon të gjitha çështjet, ne e dimë që kemi trashëguar marrëveshje problematike, kemi dashur që të përfundojmë këto dhe të tregojmë vullnet që jemi pala konstruktive dhe progresive në dialog”, ka vijuar Gjyshinca.