Reporterët pa kufij: Maqedonia ka shënuar rënie në lirinë e shtypit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reporterët pa kufij: Maqedonia ka shënuar rënie në lirinë e shtypit

    Insajderi
    13 August 2016 - 11:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Maqedonia edhe këtë vit ka shënuar rënie sa i përket lirisë së shtypit, theksohet në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”, me ç’rast nga pozita e 117-të ku ndodhej vitin e kaluar, vendi tani shkon në në pozitën e 118-të nga gjithsej 180 shtete.

    Krahasuar me vitin e kaluar, Maqedonia shënon 0.17 pikë të reja negative.

    Ndryshe, Maqedonia në vitin 2009 në raportin e Reporterëve pa kufij radhitej në pozitën e 34 duke shënuar rënie për 7 vite për 84 vende duke u pozicionuar me vendet e Evropës ku bëjnë pjesë Turqia, Bjellorusia, Rusia.

    Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, thotë se qasja e qeverisë ndaj medieve në Maqedoni është autoritare dhe me tendenca që të kontrollojë çdo rrjedhë të informacioneve pa përjashtim.

    “Nuk kemi një koncept të lirisë së shtypit në Maqedoni për shkak të një propagande përkatësisht komunikimi të qeverisë me publikun në atë formë që nuk lejon të ketë aspak liri të shprehjes. Që nga viti 2008 Maqedonia është futur në një fazë të një demokracie të kontrolluar ku veçanërisht kontrollohet rrjedha e informacionit në opinion, me atë që krijohet përshtypje e rrejshme në opinion për punën e qeverisë që ajo të materializohet në zgjedhje”, thekson Xhelal Neziri.

    Ndryshe, në raport është theksuar se nga fundi i 2014 deri më tani janë ngritur të paktën 580 padi për shpifje, nga të cilat me dhjetëra janë kundër gazetarëve.

    Kjo ka bërë që më shumë se gjysma e gazetarëve të Maqedonisë te deklarojnë se censurojnë veten, theksohet në njoftimin e Reporterëve pa kufij, duke u thirrur në të dhënat që ka nxjerrë në pah anketa e Sindikatës së gazetarëve dhe punonjësve të medieve.

    Në këtë drejtim, Xhelal Neziri thotë se pushteti në vazhdimësi ka ndëshkuar financiarisht ato media që nuk kanë promovuar politikat e qeverisë duke mos ndarë mjete nga kulaçi për reklama.

    “Problemi qëndron edhe tek vetë mediat se ato nuk kanë qenë rezistente pra nuk kanë qenë imune ndaj metodave korruptuese nga ana e Qeverisë. Sic dihet qeveria e Maqedonisë ka përdorur jo vetëm reklamat si mjet për korruptimin e medieve, por u kanë ndarë tenderë kompanive të ndryshme që qëndrojnë pas medieve të caktuara në vend gjë që ka bërë që hapësira e lirisë së shprehjes të ngushtohet në minimum”, thekson Neziri.

    Zhaneta Trajkoska nga Instituti i Mediave, thotë se është shumë real raporti i Raporterve pa kufij, duke e shtyrë në fund të listës Maqedoninë si shtet sepse pjesa më e madhe e medieve tanimë një kohë të gjatë nuk janë duke e kryer funksionin e tyre.

    “Për fat të keq edhe gjatë raportimeve nga tereni kur kemi të bëjmë me një fatkeqsi kaq të madhe natyrore siç janë vërshimet, media të caktuara mbrojnë interesat e partive në pushtet dhe informojnë në emër të partive politike. Kjo që është duke ndodhur për momentin është vetëm një pasqyrim i gjendjes mizore të pjesës më të madhe të medieve në Maqedoni”, thekson Zhana Trajkoska, duke theksuar se problem serioz paraqesin dhe ndasitë e thella që janë krijuar në mesin e medieve.

    “Ndasia e medieve për të informuar mbi baza nacionale është evidente që më herët, por ngjarjet e fundit me vërshimet vetëm se e nxorën në pah se mediat maqedonase tangojnë interesat e qytetarëve maqedonas në zonat e vërshuara dhe kontaktojnë pa pyetur hallin e atyre në fshatrat shqiptare dhe anasjelltas, mediat shqiptare nuk paraqesin zërin e banorëve nga fshatrat maqedonase kjo në asnjë mënyrë nuk paraqet fotografi për një shtet demokratik ku të gjithë qytetarët janë të barabartë”,thotë Trajkoska.

    Punonjësit e medieve thonë se “rënien e lirë” që pëson liria e shtypit në Maqedoni nuk mund ta ndalojnë reformat sipërfaqësore në media që janë përfshirë me marrëveshjen politike të Përzhinos sepse zgjidhjet ligjore janë bërë pa konsultimin e vetë medieve si dhe organizatat profesionale të gazetarëve. /Rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark