
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në zyrën e saj deputeten e partisë Guxo, Albena Reshitaj.
Ky takim u zhvillua në shenjë solidariteti pas kërcënimeve të fundit të bëra ndaj Presidentes.
Deputetja Reshitaj ka shprehur përkrahjen e saj të plotë ndaj Presidentes, duke e cilësuar kërcënimin si një sulm ndaj vetë shoqërisë dhe vlerave shtetërore. “Roli i Presidencës është simbol i unitetit dhe forcës së popullit, andaj çdo kërcënim ndaj saj përbën një kërcënim ndaj vetë shoqërisë sonë dhe dinjitetit shtetëror”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se këto veprime janë të papranueshme, sidomos kur janë të drejtuara ndaj një gruaje në udhëheqje që përfaqëson jo vetëm institucionin më të lartë të shtetit, por edhe barazinë gjinore dhe vlerat demokratike.
Reshitaj kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla, duke theksuar se frika nuk duhet të mbjellë pasiguri në zemrën e Republikës.
Ajo rikonfirmoi qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtave të grave në udhëheqje.
“Qëndroj e vendosur, si përfaqësuese e popullit, në mbrojtje të demokracisë, të grave në udhëheqje, dhe të çdo zëri që ngrihet për një Kosovë më të drejtë, më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë”, shkroi ajo mes tjerash.