Resorti luksoz nga Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan - Shqipëria hyn si aksionere, regjistrohet kompania shtetërore për projektin 1.4 miliardë euro - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Resorti luksoz nga Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan – Shqipëria hyn si aksionere, regjistrohet kompania shtetërore për projektin 1.4 miliardë euro

    Insajderi
    27 June 2025 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shqipëria do të jetë aksionere në resortin turistik, që do të ndërtohet në Sazan nga Jared Kushner.

    Qeveria shqiptare ka krijuar kompaninë shtetërore, e cila do të përfaqësojë shtetin për ortakërinë në këtë resort.

    Në Qendrën Kombëtare të Biznesit një ditë më parë, është regjistruar shoqëria aksionere Albanian State Develompent & Real Estate.

    Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e investimeve.

    “Kjo shoqëri duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal; Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit – në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC”, thuhet në dokumentin e regjistrit kombëtar.

    Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

    Krijimi i shoqërisë do të përfaqësojë shtetin në projektin me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, që synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në 8 për qind të ishullit.

    Komiteti i Investimeve Strategjike, i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.

    Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, duke parashikuar një investim prej 1.4 miliardë eurosh për ndërtim në 8 për qind të ishullit ose në 45 hektarë.

    Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Jared Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit 2024.

    Publikimi i kompanisë shtetërore që do të hyjë ortake në resortin e Sazanit, përkon me vizitën vajzës së Presidentit Donald Trump, Ivanka Trump, si dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, të cilët një ditë më parë ishin për një vizitë në Vlorë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark